E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët, letër Del Pontes: Kërko ndjesë për shpifjet!

 

Banorët e fshatit Gurrë hedhin poshtë akuzat e Del Pontes për trafikim organesh të serbëve në fshatin e tyre

TIRANË- Banorët e Gurrës së Matit kërkojnë rivendosjen e nderit të familjeve të tyre dhe të gjithë zonës pas cenimit që iu bë nga akuzat e ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Karla Del Ponte, për trafik organesh të ushtarëve serbë gjatë luftës së Kosovës, në vitin 1999. Nëpërmjet një letre drejtuar pikërisht ish-kryeprokurores që tashmë jeton në Argjentinë, i zoti i shtëpisë që pretendohet se ka shërbyer si bazë për kryerjen e transplanteve të organeve të ushtarëve serbë, Abdulla Katuçi, në emër të familjarëve të vet, por edhe të gjithë bashkëfshatarëve të tij, kërkon prej Del Pontes ndjesë publike për shpifjet që ka bërë. “Kërkoj fuqimisht që ju dhe bashkëpunëtorët tuaj të asaj kohe t’i kërkoni një ndjesë publike familjes sime, fshatit tim dhe shqiptarëve në përgjithësi. Sado i lartë të ketë qenë misioni juaj për të ndëshkuar krimet në një pjesë të botës, besoj se tani mund ta pranoni që keni bërë një gabim të rëndë, kur më keni akuzuar mua dhe bashkëfshatarët e mi për diçka që nuk e kemi për traditë”, - shprehet Abdulla Katuçi në letrën e vet drejtuar Karla Del Pontes. Gjithashtu, në këtë shkesë, ai i bën të ditur ish-kryeprokurores së Hagës për shqetësimin që i ka krijuar ajo me shpifjet e saj, jo vetëm familjes së tij, por edhe gjithë banorëve të kësaj zone, të cilët thekson ai, si parim në jetë, kanë vetëm punën e ndershme. “Prej katër vjetësh, me shumë shqetësim, unë dhe familja ime kemi ndjekur jehonën e kësaj fushate, megjithëse, siç e dini edhe ju vetë, pa u siguruar asnjë provë, element apo dëshmi të gjetur në shtëpinë, fshatin, apo krahinën time lidhur me trafikun e pretenduar të organeve të ushtarëve serbë. Kjo zhurmë u ringjall pas kërkesës së fundit të prokurorit serb. Kjo histori e rëndë njerëzore për mua e familjen time, përfshirë edhe krahinën ku banoj, na ka traumatizuar”, - thuhet më tej në letrën drejtuar Del Pontes. Duke pretenduar pafajësinë në këtë çështje, Katuçi në letrën e vet thekson se është i gatshëm të vihen të dispozicion të hetimeve të kujtdo organi që kërkon të nxjerrë të vërtetën për gjithë këtë histori. “Besoj se edhe ju keni bërë të njëjtën gjë, ndoshta me përjashtim të momentit kur vendosët të nisni hetime pa pasur prova konkrete për një krim çnjerëzor që nuk ka ndodhur kurrë e për të cilin unë do të isha i gatshëm të hetohesha kurdoherë nga institucioni juaj”, - shprehet Abdulla Katuçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›