Konferenca Gjyqësore, Kushtetuesja rrëzon qeverinë
Ligji nuk lejon gjyqtarët të marrin pjesë të gjithë në KGJK dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në KLD.
TIRANË- Gjyqësori fiton betejën e parë me pushtetin ekzekutiv. Në momentin kur debatet midis organeve të sistemit të drejtësisë dhe pushtetit ekzekutiv janë ashpërsuar së tepërmi, Gjykata Kushtetuese, si për t’u treguar ligjvënësve të kenë kujdes në ligjet që bëjnë, ka vendosur të shfuqizojë me shumicë votash ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, si në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës, duke i dhënë të drejtë në këtë mënyrë kërkesës së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve (SHKGJ).
Argumentet
Argumentet juridike ku SHKGJ-ja mbështeti kërkesën e vet, konstatonin në faktin se problematika që ka sjellë ky ligj për organizmin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, prek Kushtetutën dhe efektivitetin e pushtetit gjyqësor në disa drejtime. Kështu, sipas palës ankimuese, Konferenca Gjyqësore Kombëtare (KGJK) aktuale, është organizuar dhe funksionon sipas një ligji që është miratuar në kundërshtim më dispozitat urdhëruese të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sa i përket procesit ligjvënës, duke u miratuar me shumicë të thjeshtë, ndërkohë që si ligj organik, duhet të ishte miratuar më shumicë të cilësuar prej 3/5 të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Gjithashtu një tjetër pretendim i Shoqatës së Gjyqtarëve ishte se ky ligj nuk i lejon gjyqtarët të marrin pjesë të gjithë në KGJK, dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë në KLD. Sipas kërkesë-padisë të mbrojtur para kësaj gjykate nga gjyqtari Klodian Rado, ky ligj ka parashikuar që pjesëmarrja në KGJK, të jetë e kufizuar, edhe pse është organ i përcaktuar në Kushtetutë. Sipas ligjit aktual, gjyqtarët organizohen në Konferencë Rajonale Gjyqësore (KGJR), dhe kjo e fundit duhet të zgjedhë përfaqësuesit për në Konferencën Gjyqësore Kombëtare. Por kjo formulë, sipas kësaj shoqate, bën të mundur që përfaqësuesit e gjyqtarëve në KLD, të mos zgjidhen drejtpërdrejt prej tyre, por në mënyrë indirekte, prej përfaqësuesve të tyre të zgjedhur nga Konferenca Rajonale Gjyqësore. Gjithashtu, ndër të tjera, në kërkesën e paraqitur nga kjo shoqatë, argumentohej se ligji ekzistues ekspozon më shumë gjyqësorin ndaj presioneve me origjinë politike, sidomos nga pushteti ekzekutiv, duke pasur parasysh rolin e ministrit të Drejtësisë në emërimin e kryetarëve të gjykatave dhe të drejtën e nisjes së procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve.
Vendimi
Si rrallëherë më parë, Gjykata Kushtetuese, brenda një muaji, ka mundur të marrë në shqyrtim dhe të japë verdiktin e saj lidhur me kërkesën Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve me objekt:“Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i Ligjit nr. 9399, dt. 12.05.2005 “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”. Në këtë mënyrë, gjatë seancës së datës 6 nëntor, kjo gjykatë ka mundur që të dalë në një vendim përfundimtar, duke pranuar si të qëndrueshëm argumentet ligjorë, të cilët paraqiti komuniteti i gjyqtarëve lidhur me këtë çështje. “Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese, vendosi njëzëri të shfuqizojë si të papajtueshëm me Kushtetutën ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, - thuhet në deklaratën e zyrës së shtypit të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë një nga arsyet për të cilën Gjykata Kushtetuese u shpejtua në gjykimin e vet ka lidhje me zhvillimin e ngjarjeve që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe që si objekt kanë Konferencën Gjyqësore. Kjo pasi nëpër rrethe kanë filluar mbledhjet e konferencave gjyqësore rajonale, që sipas planifikimit duhet të përfundonin me konferencën gjyqësore kombëtare në dhjetor. Për t’i prerë rrugën një procesi të kundërshtuar nga aktorët kryesorë të kësaj fushe, Gjykata Kushtetuese duke u konsultuar edhe me ligjin themeltar të shtetit, vendosi të rrëzojë ligjin mbi të cilin funksionon ky proces. Tashmë, përgatitja e tyre nuk duhet të bëhet me këtë ligj, por nëpërmjet pjesëmarrjes së të gjithë gjyqtarëve të Shqipërisë në konferencën e dhjetorit. Ndërkohë që Kuvendit i lind detyra të bëjë korrigjimin e duhur në ligjin aktual, sipas sugjerimeve të Gjykatës Kushtetuese.