PS-ja kundërshton parashikimet për rritjen ekonomike
Debate mes deputetëve socialistë dhe ministrit Bode në komisionin e ekonomisë, në lidhje me buxhetin e vitit 2009.
TIRANË- Shifrat e rritjes ekonomike kanë shkaktuar debate të ashpra midis ministrit të Financave, Ridvan Bode, dhe anëtarëve socialistë të Komisionit të Ekonomisë gjatë mbledhjes për prezantimin e projektbuxhetit për vitin 2009. Të dy kampet kanë dale me deklarata të ndryshme në lidhje me pritshmëritë ekonomike për vitin tjetër. Duke iu referuar FMN-së, deputeti socialist, Shpëtim Idrizi, tha se, pavarësisht deklaratave të bujshme të ministrit, ekonomia shqiptare për vitin e ardhshëm pritet të pësojë një rritje jo më të madhe se 3.7 %. Po në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2009, gjatë paradites së djeshme u zhvillua edhe një takim me dyer të mbyllura midis Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Komisionit Parlamentar të Ekonomisë.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit, Bode e mbrojti atë duke e quajtur realist dhe me marzhe të mjaftueshme sigurie. “Gjithashtu, ky projektbuxhet është formuluar duke marrë në konsideratë zhvillimet dhe ecurinë e ekonomisë shqiptarë në vitet e fundit, por dhe ato në tregun e jashtëm, në kuadrin e disa ndryshimeve që ka pasur ekonomia botërore për shkak të krizës së sistemit financiar”, - shtoi ai. Duke mos përjashtuar efektet e krizës ekonomike botërore që pritet të shfaqen edhe në vendin tonë, ministri u shpreh se, “Këto elementë të kësaj tendence të ekonomisë botërore, e bëjnë situatën të paqartë. Ato nuk imunizojnë dhe nuk lënë mënjanë edhe ekonomitë vitale si ekonomia shqiptare, apo ekonomitë e vendeve balltike që kanë të njëjtin vitalitet apo vende të tjera të Ballkanit”. Sipas Bodes, efektet reale në të gjithë botën pritet që të ndihen në fillim të vitit tjetër. “Tani për tani, askush nuk e di se deri kur do të vazhdojë ajo dhe sesi do të reagojnë bankat. Gjithçka do të bëhet e qartë pranverën e vitit të ardhshëm.”, - u shpreh ai.
Duke rënë ndesh edhe me deklaratat e FMN-së për sa i përket parashikimeve të rritjes ekonomike për vitin e ardhshëm, ministri tha se: “Për vitin 2009 është programuar një rritje mbi 6 %, e cila është edhe më e larta në rajon”. Në sektorin e investimeve publike parashikohet që 90 miliardë lekë t’i jepen Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, ku 86 % e tyre do të investohen vetëm në segmentin Rrëshen-Kalimash. “Ne jemi pro rrugës dhe kundër abuzimeve, por është i patolerueshëm ky shpërpjestim i investimeve, ku vetëm për 56 km rrugë janë parashikuar të investohen 86 % e buxhetit për investime”, - deklaroi anëtari socialist i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe. Në oponencë me fjalën e ministrit për uljen e të ardhurave fiskale nga 18 % në 10 %, Braçe theksoi edhe njëherë impaktin negativ që ka shkaktuar aplikimi i sistemit të pagave të referencës nga qeveria. “Aplikimi i sistemit të pagave të referencës dhe ndryshimi i vazhdueshëm që i bëhet legjislacionit fiskal, po shkaktojnë probleme dhe po i marrin frymën biznesit, në lidhje me këtë u shprehën edhe përfaqësuesit e FMN-së pak më parë”. Ai nuk ka harruar të përmendë edhe reklamat që disa ministri po sponsorizojnë nëpër televizione të ndryshme. "Ne shohim se nuk ka para të mjaftueshme për të kredituar ekonominë dhe për të mbuluar efektet e nivelit të varfërisë, kështu që në këto kushte, qeveria mund t’ia kursente shqiptarëve këto para”, - u shpreh Braçe. Gjithashtu ai vuri në dyshim përmbushjen e investimeve të parashikuara nga qeveria, pasi sipas tij, situata ekonomike nuk e favorizon një gjë të tillë.
Mbledhja e djeshme e Komisionit të Ekonomisë u karakterizua nga një nervozizëm i dyanshëm i përfaqësuesve të grupimeve politike. Pas fjalës së ministrit dhe deputetit socialist Erjon Braçe, përfaqësuesit opozitar u larguan nga salla në shenjë proteste ndaj ministrit, i cili sipas tyre nuk po tregonte një situatë reale të ekonomisë shqiptare dhe po i devijonte vazhdimisht pyetjeve të tyre.