Banorët në protestë, bllokohet puna në rrugë
Nga Hilë Gjaci
Banorë të 3 fshatrave të Komunës së Fanit, Mirditë, u hodhën dje në protestë si dhe bllokuan punimet që po bëhen nga kompania "Bechtel-Enka. Protesta mori shkak nga prishja e rrugës që lidh tri fshatrat
MIRDITE -Banorë të tri fshatrave të Komunës së Fanit në Mirditë, dje u hodhën në protestë si dhe bllokuan për rreth tri orë punimet që po bëhen nga kompania "Bechtel-Enka" në segmentin e autostradës që lidh qendrën e kësaj komune me tunelin e Thirrës. Rreth orës 8:00, burra, gra, fëmijë dhe të moshuar nuk lejuan qarkullimin e mjeteve të rënda të firmës ndërtuese, të cilat transportonin për në tunelin e Thirrës (lidhet me atë të Kalimashit në Kukës) eksploziv, inerte dhe karburant. Mësohet se vargu i mjeteve të bllokuara nga 50 banorë të tri fshatrave arriti deri në 1 kilometër. Protesta mori shkak nga prishja e rrugës që lidh tri fshatrat e Fanit me qendrën e komunës. Nëntë muaj më parë, kompania e huaj prishi rrugën ekzistuese për shkak të punimeve që po kryhen për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Por prishja e këtij aksi çoi në izolimin e qindra banorëve. Të irrituar, protestuesit janë shprehur se kompania "Bechtel-Enka" para se të shtronte trasenë, duhej të hapte një rrugë provizore për ta. "Kemi plot 9 muaj që jemi izoluar. Jemi të detyruar që të ecim kilometra të tëra në këmbë për të shkuar në qendrën e komunës. Fëmijët na kanë mbetur pa shkollë, madje nuk mund të përcjellim në varreza as të afërmit tanë të vdekur", - pohoi për "Gazetën" kryeplaku i fshatit Bardhëz, Ndue Ceku. Ndërsa, banorë të tjerë thanë se është e tmerrshme që në raste emergjencash, detyrohen t'i transportojnë pjesëtarët e sëmurë të familjeve të tyre me mjete primitive, në barela prej druri. "Na ka ardhur në majë të hundës. Nuk mund të durojmë më. Mungesa e rrugës mund të kushtojë jetë njerëzish. Për muaj të tërë jemi detyruar që ta transportojmë bazën ushqimore për bagëtitë mbi shpinë si të jemi kafshë", - deklaruan banorët e Komunës së Fanit. Ata sqarojnë se për situatën e krijuar kanë vënë në dijeni kompaninë "Bechtel-Enka", Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve si dhe kryeministrin Berisha. Bllokimi i punimeve në autostradë ka alarmuar Komisariatin e Policisë së Mirditës. Mësohet se forca të FNSH-së dhe uniformat blu të këtij komisariati kanë ndërhyrë për zhbllokimin e rrugës. Banorët pretendojnë se është ushtruar dhunë fizike mbi ta. "Policia na keqtrajtoi jo vetëm ne burrat, por edhe gratë. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë dhunë brutale, pasi nuk është faji ynë që "Bechtel-Enka" nuk zgjidhi në kohë problemin tonë", - pohuan banorët. Pas negocimeve të bëra nga kryetari i Komunës së Fanit, Gjergj Prenga, protestuesit janë kthyer në banesat e tyre. Vetë Prenga mbështet tubimin e banorëve. Sipas tij, është e vërtetë se prishja e rrugës çon në izolimin e qindra banorëve të tri fshatrave.
(d.b/GazetaShqiptare/News24/BalkanWeb)