E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët ngrihen në protesta kundër fabrikës së çimentos

Veprimtaria e fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë është bërë sërish objekt protestash, për shkak të ndotjes së mjedisit që shkakton. Ndonëse në prokurori ekziston një hetim për "organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme" ndaj njërit prej organizatorëve kryesorë të protestave të komunitetit, dita e djeshme i ka gjetur sërish në protestë banorët e fshatrave Zallë dhe Kadias të Fushë-Krujës. Ata kanë bllokuar rrugën hyrëse të fabrikës. Protesta ka bllokuar aktivitetin normal të fabrikës së çimentos për disa orë, ndërsa protestuesit bënë thirrje për mbylljen e aktivitetit të saj, pasi po u shkakton probleme në shëndet dhe në të mbjella. Ata pretendojnë se kompania që menaxhon fabrikën u kishte premtuar kompensim në para për medikamentet mjekësore që ata marrin për problemet që u kanë ardhur si pasojë e ndotjes, si dhe shtëpi në zona të tjera për banesat që ndodhen më afër fabrikës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›