E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një student, korrier i drogës së Lazaratit

Një student i Fakultetit Ekonomik në Gjirokastër akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pasi është arrestuar me 108 kilogramë hashash, që e kishte marrë nga fshati Lazarat. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për Klodian Bashën, ndërsa aktet hetimore i janë drejtuar gjykatës. Nga aktet e procedimit penal rezulton se në datë 16 nëntor 2008, rreth orës 23.00, patrullat e policisë kufitare, në afërsi të pikës së kalimit kufitar të Kakavijës, kanë gjetur dhe më pas sekuestruar tri çanta të dyshuara se ishin të mbushura me lëndë narkotike. Si transportues i kësaj sasie droge është arrestuar disa orë më vonë shtetasi Klodian Basha, 24 vjeç nga Tepelena. Nga shpjegimet e dhëna, 24-vjeçari ka deklaruar se në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë kanë kryer transportin e një sasie lënde narkotike në drejtim të shtetit grek. "Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi e provuar se Klodian Basha, është një ndër autorët e kryerjes së kësaj vepre penale", thotë Prokuroria e Krimeve të Rënda.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›