Kapen dy kilogramë heroinë në Kapshticë, prangoset korrieri
Kapen dy kilogramë heroinë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, prangoset korrieri. Burimet e policisë së Korçës bëjnë të ditur se pas një operacioni të sektorit të antidrogës është prangosur në flagrancë një 32-vjeçar nga qyteti i Korçës. Mësohet se korçari po transportonte me mjetin e tij 2 kg heroinë, që kishin për destinacion Greqinë. Policia ka bërë të ditur se Sejtor Geco është kapur në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në orën 12.00 të së enjtes, pasi ishte në ndjekje nga ana e agjentëve të antidrogës. Mësohet se policia kishte marrë më parë informacione në rrugë operative, se 32-vjeçari korçar kishte në automjetin që drejtonte lëndë narkotike dhe se destinacioni i drogës ishte Greqia. Kaq ka mjaftuar që ai të vihet në ndjekje nga ana e ekspertëve të antidrogës, të cilët e kanë mbajtur nën vëzhgim përgjatë itinerarit që ka përshkuar nga qyteti i Korçës në drejtim të pikës kufitare. Sipas policisë, autori i këtij trafiku është ndaluar në afërsi të pikës kufitare, pranë traut doganor. Nga kontrolli që është ushtruar në mjetin e tij tip "Mercedes Benz" me targa KO8107B, policia ka gjetur dhe sekuestruar sasinë e heroinës së paketuar në dy pako të veçanta, brenda së cilës ishte nga një kilogram drogë. Geco e kishte fshehur drogën në pjesën e bagazhit, poshtë gomës rezervë. Pas gjetjes së drogës, është ushtruar kontroll në banesën e tij në lagjen nr. 3 të qytetit dhe në disa nga ambientet private në pronësi të tij. Nga verifikimet që policia ka kryer për më shumë se pesë orë, nuk është gjetur asnjë material tjetër komprometues dhe as lëndë narkotike. Policia ka bërë të ditur se 32-vjeçari dyshohet se është pjesë e një grupi trafikantësh që transportojnë lëndë të forta narkotike në Greqi. Pas kapjes dhe arrestimit në flagrancë të Sejtor Gecos, Policia e Korçës dhe antidroga kanë nisur hetimet për lidhjet e 32-vjeçarit me persona të tjerë. Burimet e policisë kanë thënë se autori që posedonte këtë lëndë narkotike do ta dërgonte atë në qytetin e Selanikut. Ndërkohë në hetim është përfshirë edhe destinacioni përfundimtar, për të zbardhur personat pritës të kësaj lënde narkotike dhe porositësit e saj.