E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët që shpronësohen nga ndërtimi i rrugës Vuno-Metoq do të kompesohen me 4.5 mln lekë

Banorët që do të shpronësohen nga ndërtimi i rrugës Vuno-Metoq, në rrethin e Sarandës, do të kompensohen me afro 4,5 milionë lekë, sipas një vendimi që mori qeveria në mbledhjen e saj të fundit. Sipas këtij vendimi, shpronësimi për interes publik i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i rrugës Vuno-Metoq, do të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit, për sipërfaqen 4 653 meter katrore tokë/arë, me vlerë 2 107 343 lekë, për sipërfaqen 267 meter katrore tokë/truall, me vlerë 418 442 lekë, për kultura, dru frutorë, me vlerë 576 982 lekë, për objekte, me vlerë 1 380 464 lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 4 483 231 lekë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 1 104 000 lekë do të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 4 483 231 lekë do të përballohet nga llogaria e veçantë e Ministrisë së Financave, në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve”. Shpronësimi do të fillojë më 1 tetor 2009 dhe do të përfundojë më 1 janar 2010 dhe për zbatimin e këtij vendimi  ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›