Këshilli Bashkiak në Durrës merr vendimin për shembjen e 4 kateve pa leje të pallati 14 katësh në durrës
Këshilli bashkiak i Durrësit i ka dhënë mbështetje të plotë administratës bashkiake në nismën për të prishur katër kate të ndërtuara pa leje në një pallat pranë rrugës "Skëndërbej" të këtij qyteti. Kryetari i grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike, Seid Kërtusha tha se "frenimi i këtij abuzimi flagrant në qendër të qytetit do të jetë një shembull kuptimplotë për të gjithë ndërtuesit mbi zbatimin e ligjit". “Pavarësisht se cila do të jetë fatura financiare apo mjetet që do të përdoren për prishjen e pjesës së objektit që nuk ka marrë leje ne do të mbështesim nismat ligjore të bashkisë"-tha Kërtusha. Kryetari i bashkisë, Vangjush Dako njoftoi këshilltarët se "pallati 12-katësh, i ndërtuar 10 vjet më parë përballë katedrales ortodokse, pikërisht pranë hyrjes nr. 2 të portit detar ka marrë një leje shtesë në vitin 2002 për të ngritur edhe dy kate dhe një platformë rrotulluese. “Por në fakt mbi pallat janë ndërtuar edhe katër kate të tjera të paligjshme, bazamenti i të cilave ka dalë jashtë perimetrit të ndërtimit dhe përbën një rrezik real për banorët”, sqaroi Dako. Sipas tij, pas gjobës prej 1 miljon lek që Bashkia vuri më parë ndaj firmës ndërtuese, kjo e fundit është kallëzuar edhe penalisht në organet e drejtësisë. Për prishjen e katër kateve pa leje është kërkuar mbështetja e specialistëve dhe mjeteve të Inspektoriatit Kombëtar Ndërtimor.
...