Karabina: Shqipëria e angazhuar jo vetëm në operacionet e NATO-s, por edhe ato të BE-së
Zv/ministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, mori pjesë në takimin dy ditor (28-29 shtator) të Ministrave të Mbrojtjes të BE-së, që i zhvilloi punimet në Goteborg të Suedisë. Zyra e shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes, informoi se një nga seancat e këtij aktiviteti iu kushtua edhe takimit të Trojkës së BE-së me Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, por që s’janë anëtare të BE-së dhe të vendeve kandidate për në BE. Gjatë këtij takimi, ministri i Mbrojtjes i Suedisë, e cila ka Presidencën e radhës së BE-së, informoi delegacionet pjesëmarrëse për çështjet që lidhen me forcimin e sigurisë europiane si vëzhgimi i hapësirës detare, forcimi i kapaciteteve civilo-ushtarake dhe zhvillimi i mëtejshëm i tyre, operacionet në kuadër të BE-së, etj. Zv/ministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, pasi falënderoi ministrin suedez të Mbrojtjes për ftesën, si dhe për mbështetjen që Suedia po i jep Shqipërisë në kuadër të proçesit të anëtarësimit në BE, informoi të pranishmit për angazhimin e qeverisë së re në vazhdimin e reformave në vend e për rrjedhojë edhe në Forcat e Armatosura. Ai theksoi se "Shqipëria si vend anëtar i NATO-s është e angazhuar në Afganistan, por në të njëjtën kohë, si vend i angazhuar drejt anëtarësimit në BE, ajo ka dhënë e jep kontributin e saj në operacionet e BE-së, si në operacionin “ALTHEA” në Bosnje-Hercegovinë, në Çad, etj”. Gjithashtu z. Karabina nënvizoi faktin se "Shqipëria e shikon seriozisht angazhimin e saj në çështjet e ESDP dhe në këtë kuadër ajo është gatshme që të bashkëpunojë jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe më gjërë, si në vendosjen e rritjen e bashkëpunimit në kuadër të hapësirës detare, ashtu dhe në forcimin e kapaciteteve e bashkëpunimin civilo-ushtarak”.
...