Banorët sharrojnë dhe bllokojnë çezmat publike, nis furnizimi me bote në Porto Romano

Në zonën e Porto Romanos një fenomen shqetësues ka penalizuar gjithë zonën përsa i përket furnizimit me ujë të pijshëm në çezmat publike. Disa persona kanë vënë dorë në rrjetin e ujit të pijshëm përgjatë rrugës nga lagjja numër 15, drejt Porto Romanos duke bërë që kjo zonë të mos ketë ujë. Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve nisur nga ky fenomen ka vendosur që të penalizojë të gjithë këta persona. Tre vite më parë, ujësjellësi shtroi tubacionin 300 m në anë të rrugës, që përshkon zonën e banuar nga Spitalla drejt Porto Romanos dhe në çdo 300-400 m ka vendosur një çezmë publike.
Porto Romano është populluar në dhjetë vitet e fundit dhe pas krizës së thellë për furnizimin e popullatës me ujë, shoqëria vendosi të shtrijë tubacionin dhe si fillim të vendosë disa çezma në anë të rrugës, për shërbime publike. Një shërbim i tillë shoi etjen e qindra e mijëra banorëve nga Spitalla deri në Porto Romano dhe i dha fund rrugës së gjatë të banorëve, për të mbushur ujë. Nga ana tjetër, investimi që ka kapur shifrën e 20 milion lekëve, shmangu tregtimin e ujit me bote të mbushur tek ujësjellësi. Por, pas një periudhe 3-vjeçare, në të gjithë gjatësinë prej gati 4 km nga Spitalla, ku përfundon sistemi i furnizimit me ujë në çdo banesë e deri në Porto Romano, asnjë çezmë nuk është më në gjendje funksionale. Diku tubacioni është sharruar, diku tjetër është tamposur, ndërsa në pjesën më të madhe persona, që banojnë në këtë zonë kanë devijuar ujin duke e dërguar në banesat e tyre. Edhe pse punonjësit e shoqërisë së ujësjellës- kanalizimeve, kanë pasur dije lidhur me këtë ndërhyrje si dhe me rikthimin në gjendjen e mëparshme të krizës së ujit, çështja është lënë në heshtje. Drejtoria i ujësjellësit, ing. Agron Islami ka theksuar se do të rioganizohet një vëzhgim në terren dhe do të penalizohet çdo individ, i cili ka prekur linjën e furnizimit të popullatës me çezma publike. Por, deri në nisjen e këtij aksioni, që do të kërkojë kohë për ti shkuar deri në fund e për të rikthyer ujin e pijshëm, banorët e Porto Romanos duhet të zgjedhin ujin e puseve për të larë, dhe rrugën e gjatë për të mbushur ujë në lagjet më të afërta të qytetit të Durrësit. Çështja e ujit të pijshëm në Durrës vijon të mbetet problematike edhe në qytet, pasi Durrësi merr jo më shumë se 2 orë ujë në ditë dhe renditet ndër qytetet me furnizimin më të paktë me ujë të pijshëm. Ujësjellësi, që furnizon Durrësin me ujë është ndërtuar në vitin 1977 për një popullsi, e cila në atë kohë ishte jo më shumë se 50-60 mijë banorë. Linja nga puset e Fushë-Kuqes në kufirin ndarës të Krujës me Kurbinin, ku edhe prodhohet uji, deri në Durrës është 45 km e gjatë. Aktualisht, nga këto puse nxirret 2.5 milion metër kub ujë në muaj dhe nga kjo sasi faturohet vetëm 745 mijë metër kub ujë, dhe arkëtohet vetëm 60 për qind e sasisë së mësipërme. Nga Fushë-Kuqja deri në Durrës, ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime ka të regjistruar vetëm 60 mijë klientë. Nga viti 2003 dhe deri në përfundim të kontratës në vitin 2008, kompania menaxhuese e ndërmarrjes Berlin Vasser, duhej të investonte afro 7 milionë euro, nga totali prej 14.4 milionë euro që Banka Botërore ka planifikua për menaxhimin e ndërmarrjeve të Ujësjellësve në Fier, Lezhë, Sarandë dhe Durrës. Edhe pse janë miliona lekë e euro, që janë përfshirë në projekte për të rregulluar parametrat, ende Durrësi dhe rrethinat kanë problem furnizimin e rregullt edhe me një herë ujë në ditë në pak orë.
Last Updated on Tuesday, 05 May 2009 12:39
Last Updated on Tuesday, 05 May 2009 12:39