E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, vrasja e Xhindit, përforcohen kontrollet në pikat kufitare

Policia e juglindjes ka kaluar në gjendje gatishmërie pas ekzekutimit të deputetit Fatmir Xhindi. Masat e mara në mënyrë të veçantë në qarkun e Korçës janë të shumta, ndërsa në vëmendjen e bluve janë pikat e kalimit ajo e Kapshticës dhe Qafë-Thanës. Sipas Drejtorit të Policisë së Korçës, Emri Vata fill pas ngjarjes së rëndë të të shtunës në Fier ku është ekzekutuar deputeti i parlamentit shqiptar Xhindi, edhe policia e qarkut të Korçës ka shtuar numrin efektivave por dhe të shërbimeve 24 orëshe në të gjitha akset nacionale. Kështu super të kontrolluara janë bërë akset Korçë-Pogradec ku ka dy postblloqe të policisë vendore, teksa dy postblloqe të tjerë të palëvizshëm janë ngritur edhe në superstradën që lidh Shqipërinë me Greqinë Korçë-Kapshticë. Përveç këtyre shërbimeve 24 orëshe të policisë ushtrohen kontrolle të imtësishme në të gjitha automjetet që lëvizin në juglindje, ndërkohë që kanë kaluar në sitën e policisë me qindra automjetet të ndryshme gjatë këtyre ditëve. Sipas kreut të policisë së Korçës Vata, një vëmendje e veçantë i është kushtuar pikave të kalimit ku shkalla e gatishmërisë është rritur edhe në këto pika kufitare me shërbime të përforcuara dhe me një numër të lartë efektivash. Të gjithë udhëtarët që dalin nga Shqipëria nëpërmjet pikës së kalimit në Kapshticës por dhe në asaj të Qafë-Thanës i nënshtrohen kontrolleve të shumta përveç procedurave të zakonshme që kryejnë në kufi për të dalë nga vendi ynë. Çdo mjet dhe udhëtar që lëviz në këto pika kalimi nuk mund të vazhdojë udhëtimin drejt shteteve përkatëse nëse nuk kontrollohet nga policia e cila është duke shmangur me këto kontrolle një dalje të mundshme nga Shqipëria të autorëve të këtij krimi që ka tronditur vendin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›