Drejtoria Arsimore e Shkodrës: Nuk ndihet konkurrenca nga arsimi privat
Në Shkodër krahas një numri të madh të shkollave publike, si ato 9-të vjeçare dhe gjimnaze, ka edhe disa shkolla të arsimit privat. Por konkurrenca nuk është kaq e madhe, edhe pse në të tilla shkolla ka një numër nxënësish, që tashmë mësojnë dhe plotësojnë kriteret e pranimit. Por, arsimi publik në Shkodër nuk ndihet i konkurruar nga arsimi privat. Në të kundërtën, sipas drejtoreshës së Drejtorisë Rajonale të Arsimit, Artrida Ferketi, arsimi publik çdo ditë e më shumë po tregon forcën e vet dhe ka një besueshmëri të lartë, si tek nxënësit dhe prindër.
Kohët e fundit janë rreth 20 raste të zhvendosjes së nxënësve nga shkollat private në ato shtetërore dhe kjo gjë sa vjen e rritet. Në të gjitha rastet e shënuara, nuk kanë qenë arsyet ekonomike ato që kanë shtyrë prindërit të ndryshojnë shkollën e fëmijëve. Në Shkodër nuk ndihet aspak konkurrenca nga arsimi privat. Ne tashmë ofrojmë kushte mësimdhënie brenda standardeve të kërkuara. Kemi infrastrukturë të plotë, falë investimeve të shumta si laboratorët në shkolla. Por, kemi një numër normal nxënësish në klasa, shprehet Ferketi. Megjithatë, ajo sqaron se investimet e shumta kanë ndikuar në rritjen e nivelit të mësimit, ku veçon bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, për zhvillimin e shumë projekteve dhe kjo sipas saj bën që të rritet profesionalizmi dhe niveli i arsimit në tërësi. Gjithsesi një pikë shumë e fortë e arsimit publik, duket se është përgatitja e mësuesve dhe kërkesat që kanë ata për kualifikim. Por, drejtorja e DAR-it në qarkun e Shkodrës deklaron se në këtë rreth janë bërë shumë investime në fushën e arsimit, si në godina ashtu dhe në aspekte të tjera të jetës mësimore, duke veçuar ndërtimin e shkollave të reja 9-vjeçare në komunat Velipojë e Bërdicë; në fshatrat Shtoj i Vjetër dhe Trush. Gjithashtu është në ndërtim e sipër, shkolla në Shirokë. Nga të dhënat zyrtare bëhet e ditur se janë investuar 800 milionë lekë për rikonstruksionin e plotë të shkollës së mesme "Shenjaze Juka", "Prenk Jakova", shkollës pyjore "Kolë Margjini", si dhe për rikonstruksionin e shkollave 9-vjeçare; "Branko Kadia", "Pashko Vasa", shkolla e fshatit Mnelë, shkolla e Komunës Bushat dhe shkolla e fshatit Beltojë. Ndërkaq, kreu i Drejtorisë së Arsimit në Shkodër, Artrida Ferketi pohon se janë bërë investime edhe në shkollat e komunitetit rom dhe atij egjiptian. Me arsimin në Shkodër është bërë një punë e mire dhe jo vetëm 800 milionë, por edhe disa dhjetëra milionë të tjera janë shpenzuar për të rregulluar dhe sistemuar mjedise të shkollave, si dhe janë shtuar edhe 30 kabinete informatike dhe po ashtu në shumë shkolla është futur edhe interneti duke e çuar arsimin publik drejt nivele akoma më të lartë.