E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët te Kopshti Botanik 6 muaj pa u furnizuar me ujë

Me vendim qeverie, duke filluar që dje, fillon java e ujit, festa e ujit. Edhe pse filloi atmosfera festive, kjo nuk do të thotë se do të kemi ujë pa ndërprerje, por me orar. Si e festojnë shqiptarët javën e ujit? Banorët e zonës rreth e rrotull Kopshtit Botanik nuk kanë pasur mundësi që të festojnë javën e ujit. Banorët e kësaj zone kanë gjashtë muaj që nuk furnizohen me ujë, edhe pse kanë kontrata të rregullta me ujësjellësin, kanë libreza, madje kanë shlyer rregullisht detyrimet ndaj tij. Asnjë pikë ujë nuk vjen në rubinetet e tyre, që në qershor të këtij viti. Në bazë të këtij vendimi, të gjitha institucionet shtetërore të fushës, në nivel qendror dhe vendor, si dhe Shoqata e Ujësjellës-Kanalizimeve në Shqipëri, veçmas ose në bashkëpunim, të programojnë, organizojnë dhe realizojnë në këtë kuadër, brenda juridiksionit dhe mundësive të tyre financiare, infrastrukturën festive dhe veprimtari të ndryshme. Ndërkohë, qytetarë të Tiranës ankohen çdo ditë se uji në shtëpitë e tyre ka ardhur me pikatore, ose ka munguar fare. Megjithëse qeveria shpalli javën e parë të nëntorit si javën e ujit, megjithëse ditët e nxehta të verës kanë kaluar, banorët e shumë pallateve në zonën e Kopshtit Botanik në kryeqytet thahen për një pikë ujë. Në vend që të zgjidhet problemi i kryeqytetasve, Kryeministri Sali Berisha ka vendosur të marrë një vendim, por pa e ditur se në dobi të kujt është. Banorët e këtyre pallateve shprehen se askush nuk i është përgjigjur ankesave të tyre dhe kërkuan nga "Fiks Fare" që të shkonin nëpër institucionet përgjegjëse për të gjetur zgjidhjen sa më parë të këtij shqetësimi. Deri më sot këta banorë kanë gjetur zgjidhje vetë, duke paguar një autobot katërmijë deri në dhjetëmijë lekë të reja. Mbushin çfarë enësh të mundin nëpër shtëpitë e tyre. Ata që kanë mjete transporti, furnizohen në rrjedhat natyrale në periferi. Të tjerët lëvizin me karroca, apo të ngarkuar me bidonë në krahë në lagjet e afërta, ose në disa pika të hapura në mjediset publike të qendrave të banuara.

Gjatë këtyre gjashtë muajve banorët kanë shkuar me dhjetëra herë në zyrat e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës. Herë u përgjigjen e herë jo. Në rastet më të mira, pas ankesës së tyre, uji u vjen tri ditë, kuptohet me orar dhe pastaj në çezmat e tyre nuk vjen më asnjë pikë ujë. "Nuk ia dalim dot duke paguar autobotet. Na shkon pesëmijë lekë në muaj shpenzimet për ujë", ankohen disa banorë. Çdo dy-tri ditë, një autobot vjen dhe mbush depozitat e pallateve të kësaj zone. Vetë shoferi i autobotit shpjegon se është i pa licencuar për të furnizuar me ujë të pijshëm këta banorë, por firma ku ai punon ka një kontratë me pronarët e firmave që kanë ndërtuar këto pallate për të mbushur depozitat me ujë. Kur e pyet se ku e mbush autobotin, shoferi, për të qetësuar banorët, që përdorin ujin që u sjell ai, të përgjigjet se ujin e merr te një çezmë pranë zjarrfikëseve. Gazetarët e "Fiks Fare" morën dy kampione, nga çezma te zjarrfikëset dhe nga autoboti. I çuan për analiza dhe përgjigjja që morëm nga Instituti i Shëndetit Publik, ishte se treguesit kimikë tregonin se dy kampionët e ujit nuk kishin të njëjtën përbërje. Me gjithë këto shqetësime, një grup banorësh të kësaj zone së bashku me kamerën e "Fiks Fare" shkuan te Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës. Përgjegjësi i sektorit të mirëmbajtjes në këtë ndërmarrje, Nadir Gruda, në vend që t‘i jepte zgjidhje shqetësimit të banorëve, tallej me hallin e tyre. Një herë prezantohej sikur e njihte mjaft mirë shqetësimin e këtyre banorëve, ndërsa herën tjetër këmbëngulte në faktin se nuk kishin kontrata me ujësjellësin. Kur i treguan kontratat, u premtoi se brenda një muaji problemi i tyre do të zgjidhej. Sot ka kaluar më shumë se një muaj dhe banorët e këtyre pallateve furnizohen jo nga rrjeti i ujësjellësit, por nga autobotet. E teksa shikon gjithë këto probleme, vendosëm që të ndiqnim tubacionin kryesor të ujit të pijshëm, që nga Selita deri në qytet. Ndërhyrjet në rrjet ishin të pafundme. Ndërhyrjet në këtë tubacion njihen nga të gjithë. Tubacioni është bërë shoshë dhe ndërsa pallatet s‘kanë ujë, lavazhet punojnë 24 orë pa pushim me ujë të pijshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›