Duro: E drejta sindikale, opozita që na duhet
"Organizatat sindikale janë partnerët tanë, por edhe opozita më e mirë për çdo qeveri, për politikat që ajo harton dhe zbaton në fushën e marrëdhënieve të punës, politikave sociale, të pagave dhe pensioneve etj. Ndaj, është detyrë e çdo qeverie që të rrisë bashkëpunimin dhe partneritetin me këto grupime, për t‘i bërë ato pjesë të një politikëbërjeje më efecientë", u shpreh ministri i Punës, Anastas Duro, në një takim që zhvilloi dje me kryetarin e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikolla. Ministri i Punës, Anastas Duro, u shpreh i hapur për të bashkëpunuar dhe për të dialoguar me partnerët për zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë sot punonjësit dhe përfaqësuesit e tyre. Sipas tij, Ministria e Punës, si institucioni kryesor që përfaqëson qeverinë në bashkëpunimin me partnerët, i njeh dhe do të bëj përpjekjet maksimale për t‘i zbatuar të gjitha detyrimet që i ngarkon ligji, veçanërisht Kodi i Punës, në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve. Duro premtoi se interesimi i tij, në postin e ministrit të Punës për të realizuar të drejtën sindikale në Shqipëri, do të jetë maksimal. "Vullneti ynë është që bashkëpunimi dhe partneriteti si me sindikatat ashtu edhe me përfaqësuesit e punëdhënësve të përmirësohet dhe të kalojë në stad të ri", siguroi kryesindikalistin ministri i Punës. Nga ana e tij, Nikolla e informoi ministrin se tashmë Konfederata ka hyrë në një proces reformimi strukturor, i cili synon të pasqyrojë ndryshimet social-ekonomike të ndodhura në këto vite në vend dhe, veçanërisht, në marrëdhëniet e punës. "Ne jemi të bindur se ky reformim do të ndikojë pozitivisht në rritjen e bashkëpunimit dhe të partneritetit trepalësh", vuri në dukje Nikolla.