Mesi nën akuzë, pështyn një kundërshtar
Lionel Mesi rrezikon të humbasë imazhin si "djalë i mirë", pasi gjatë sfidës me Malagan, ku Barcelona fitoi 4-1, është kapur nga kamerat duke pështyrë kundërshtarin Duda. I njohur edhe me nofkën "Mesia", ylli argjentinas ka fituar respektin e të gjithëve, që prej momentit kur debutoi në arenën e futbollit të madh, përpara katër vjetëve. Përveçse mahnit me aftësitë natyrore, 21-vjeçari, ka treguar gjithmonë një sjellje shembullore brenda fushës së lojës. Megjithatë, të shtunën, në fushën e përmbytur nga shiu, imazhi i tij ndryshoi. Gjatë gjithë ndeshjes së të shtunës, Mesi dhe Duda u bënë protagonistë të dueleve, që në disa raste ishin në limitet e rregullave (kjo edhe për shkak të gjendjes së fushës). Në një moment, ata u përplasën dhe ranë në tokë: Mesi u ngrit dhe pështyu përpara lojtarit portugez, i cili po vraponte duke parë nga asi argjentinas. Edhe pse ky episod ka qenë në vëmendjen e mediave iberike, ende nuk është e qartë nëse sulmuesi i Barcelonës është provokuar përpara se të reagonte në atë mënyrë. Tashmë ai rrezikon të pezullohet nga Disiplinori pranë Federatës Spanjolle, për sjellje antisportive.