Banorët, të tmerruar nga të shtënat dhe të bërtiturat
Ngjarja e rëndë në Kamzë ka sjellë reagimet e para në zonë. Banorët pranë shkollës “Agrobiznes” janë tmerruar nga të shtënat e armëve dy net më parë dhe ditën e djeshme, disa prej tyre kanë braktisur banesat. Ata ndihen të tmerruar, pasi në një hark të shkurtër kohor, në të njëjtën zonë kanë ndodhur tri vrasje. Gjithashtu, ata kanë deklaruar se në momentin që kanë dëgjuar të shtënat janë ngritur të alarmuar nga gjumi dhe kanë marrë fëmijët duke u shtrirë përdhe. “Nuk e dinim se çfarë ndodhi derisa dëgjuam sirenat e policisë dhe që efektivët vinin e na pyesnin nëse dinim ndonjë gjë. Vetëm në atë kohë morëm fëmijët dhe i vumë në krevate”, tregon një nga familjarët e zonës. Sipas tyre, kjo ngjarje e rëndë nuk mund të kalohet lehtë prej tyre, pasi një nga autorët mund të kishte hyrë në një banesë dhe do kishte marrë peng ndonjë familje, duke shkaktuar tragjedi të mundshme. Por, tashmë ka kaluar dhe ata shpresojnë që të kthehet normaliteti, pasi ende ndihen nën presion, duke parë edhe shumë forca policie të pranishme.
#