Xhons: SHBA, partner i popullit dhe qeverisë së Kosovës
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partner i palëkundur i popullit dhe i qeverisë së Kosovës”, deklaroi mbrëmë në Uashington zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Stjuart Xhons, në një ceremoni që u mbajt në Ambasadën e Kosovës.
Në një ceremoni që u hap me himnin e Republikës së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington organizoi pritje për nder të Ditës së Pavarësisë ku morën pjesë rreth 150 mysafirë, përfshirë ambasadorët e rajonit, por edhe ambasadorë të shteteve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Mikpritësi i manifestimit, ambasadori Avni Spahiu, duke përshëndetur pjesëmarrësit foli për të arriturat gjatë dy vjetëve të shtetit të pavarur dhe nënvizoi se ‘populli i Kosovës po lëvizë drejt fuqizimit të strukturave politike dhe ekonomike dhe në të njëjtën kohë fuqimisht po siguron mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve’. Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Stjuart Xhons, përgëzoi Kosovën për arritjet e saj, ndërkaq në përshëndetjen e tij solli edhe njëherë urimet e sekretares Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, duke nënvizuar se ‘Shtetet e Bashkuara mbeten një partner i palëkundur i popullit dhe i qeverisë së Kosovës’. Ndër mysafirët e shumtë ishin edhe përfaqësues të tjerë të Departamentit të Shtetit, analistë dhe dashamirës të Kosovës, si dhe një numër pjesëtarësh të komunitetit shqiptar që jetojnë në shtete të ndryshme të Amerikës. Në këtë manifestim, të dytin që e organizon ambasada e Kosovës, kësaj radhe mysafirët ngritën gotat e urimet me verë të prodhuar në Kosovë.
#