E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkon të blejë ushqime, ngrin në dëborë 23-vjeçari

Kolonjë I riu gjendet në mes të malit. Ishte nisur nga shtëpia tri ditë më parë

Vdes i ngrirë në mes të dëborës një i ri nga rrethi i Kolonjës. Ai është gjetur pa jetë në malin e Radomit nga disa barinj, ndërkohë që prej tri ditësh policia dhe të afërmit ishin vënë në kërkim të tij. 23-vjeçari Servet Beqo ishte nisur tri ditë më parë për të blerë ushqime nga fshati Mbretan ku jetonte për në qendrën e Komunës Novoselë. Sipas policisë lokale, i riu udhëtonte me një mushkë për t’u furnizuar me ushqime, pasi familja e tij dhe gjashtë familje të tjera të fshatit të thellë malor kishin mbetur të bllokuar nga dëbora. Sipas të dhënave që kanë siguruar uniformat blu, mësohet se 23-vjeçari kishte mundur të arrinte deri në qendrën e komunës dhe të blinte ushqimet që e kishin porositur. Por nuk ka mundur të përballojë rrugën e kthimit. Djali prej dy ditësh kishte humbur çdo kontakt me të afërmit që ishin vënë në alarm. Ata janë përpjekur të kontaktojnë me të nëpërmjet celularit, por pa rezultat. Ndërkohë ata kanë kërkuar ndihmën e policisë, e cila ka nisur kërkimet në një terren tepër të vështirë dhe të pamundur për kalimin e mjeteve për shkak të dëborës. Nga dëshmitë e mbledhura mësohet se 23-vjeçari gjatë rrugës së kthimit nga qendra e komunës ka ecur për të paktën pesë orë në këmbë për t’u kthyer pranë familjes së tij. Por moti i keq dhe ngricat e kanë penguar të vazhdojë më tej rrugën. Ai e ka lënë kafshën të lidhur pas një peme dhe për të shpëtuar veten ka vazhduar sërish rrugën në dëborën e trashë për të arritur në shtëpi. I lodhur dhe i mbetur në mes të dëborës, në pamundësi për të kërkuar ndihmë, i riu ka ndërruar jetë i ngrirë prej të ftohtit. Viktima është gjetur rastësisht nga disa barinj të fshatit Kaduç, të cilët kanë sinjalizuar menjëherë policinë lokale. Uniformat blu kanë mundur të arrijnë në vendngjarje, pas më shumë se tri orësh rrugëtimi më këmbë, në një terren tepër të vështirë malor. Ata kanë mundur të tërheqin trupin e pajetë të viktimës dhe të bëhet ekspertiza mjekoligjore. Sipas policisë, trupi ka qenë i ngrirë dhe nuk janë vërejtur dëmtime të tjera. Burime zyrtare të Policisë së Kolonjës kanë bërë të ditur se 23-vjeçari ka humbur jetën nga i ftohti, pasi trupi i tij ka qëndruar në dëborë prej të paktën 48 orësh. Ai mësohet se kishte ndaluar përkohësisht në një fshat të afërt, por më pas ka marrë sërish rrugën, edhe pse i lodhur nga rrugëtimi më këmbë dhe nga moti i ftohtë. I riu ka ndërruar jetë për t’u siguruar bukën banorëve të fshatit dhe familjes së tij, pasi prej një jave zona ka mbetur e izoluar totalisht nga dëbora e madhe.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›