E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët të trishtuar, pas lajmit të kobshëm

Kur Arbana hyri në shtëpi, banorët e pritën me përqafime dhe të qeshura, që u shuan menjëherë pasi ajo u komunikoi lajmin e hidhur të humbjes së Presidentit të TOP MEDIA-s, z. Dritan Hoxha.

Ata nuk e lanë Arbanën të dalë pa e pyetur deri në detaje sesi kishte ndodhur ngjarja dhe sesi është zhvilluar ceremonia ditën e djeshme. Ajo u tregon gjithçka me qetësi dhe kujdes, duke e mbajtur emocionin e saj.

Arbana, si një person që ka punuar pranë z. Dritan Hoxha, u thotë se e kuptuan shumë mirë dje, se çfarë do të thotë për ta të jesh pjesë e familjes së madhe të TOP MEDIA-s.

Arbri shprehet se z. Hoxha ishte një nga ata persona që ka kontribuar që Shqipëria të mos jetojë më brenda territ informatik dhe se ishte nga të paktët që merrte vendime aq të guximshme biznesi, si të sillte "Big Brother Albania".

Të pikëlluar, ata, nëpërmjet ekranit, ngushëlluan familjen dhe gjithë stafin e TOP MEDIA-s.

Pas ikjes së Arbanës, banorët mbeten në shtëpi, ende të shtangur nga lajmi, pa ditur se çfarë mund të thonë.

Një ditë e zakonshme

Janë zgjuar vonë dhe kanë qenë jashtëzakonisht përtacë banorët, por kjo nuk vlen kur vjen puna të flasin për nominimet dhe eliminimet e ardhshme. Najada i tregon Olsit se mendimi i saj është që të rrinë në shtëpi, ajo, Arbri, Titi dhe Olsi.

Ajo thotë se veteranët e B.B duhet të meritojnë të qëndrojnë në shtëpi më shumë se të tjerët. Najada përmend sërish batutën se Poli duhet të shkojë të takojë Inën, se kanë shumë kohë që janë ndarë. Olsi mendon njëlloj.

Shumicën e kohës ata e kanë kaluar duke luajtur futboll tavoline, sidomos çunat.

Jonida ka bërë një byrek me peta, diçka që e ka mbajtur të zënë gjithë ditën.

Batutat mes Olsit dhe Titit gjithashtu prekin temën e eliminimeve, sidomos kur Titi i thotë Olsit se tashmë malli e ka marrë aq shumë, sa nuk do më t‘i shohë banorët e tjerë, po veç të takojë familjen. Bashkë me Polin, Olsi e tall Astritin, duke rikujtuar edhe një herë batutën e tij se rinia shqiptare është e shthurur.

Si dy ekstreme në lojën e njohur në B.B, ata rikujtojnë Rominën dhe Shkëlqimin, të cilët me konfliktin e vazhdueshëm, sipas tyre, fundosën njëri-tjetrin. Gjithsesi, ata janë të lumtur që nuk qenë nga ata banorë që dolën që javën e parë ose të dytë.

Arbri i thotë Polit se në shtëpinë e tij, shija e tij artistike është një domosdoshmëri. Ai i tregon sesi e ka mobiluar shtëpinë, duke marrë elemente nga të gjitha kulturat. Sipas Arbrit, shtëpia e tij ngjan me një model për revistë, jo shtëpi. Poli i thotë se do të ishte bukur sikur të bënte një festë te shtëpia e tij, por Arbri i thotë se nëpër festa zakonisht shtëpitë duhet të mos kenë gjëra të shtrenjta dhe mobilie të mira, pasi ndodhin mjaft dëmtime. Ai s‘do të bënte asnjëherë festë në shtëpinë e tij.

Ndodhi të ditës së premte

Romanca Arbër-Jonida

Banorët ndodhen ende në kopsht, por kësaj radhe ata po ngacmojnë Jonidën. Arbri i thotë të flenë bashkë, se nuk bëhet ndonjë gjë e madhe se nuk i dihet nesër. Jonida kujton mëngjesin romantik që i pati përgatitur Arbri. Banorët vazhdojnë ta ngacmojnë, duke i thënë të mos bëjë sikur nuk i pëlqen përkujdesja, por ajo me qetësi i përgjigjet se edhe rolin duhet ta luajë pak. Arbri e pyet Jonidën nëse ka ftohtë dhe ajo i përgjigjet se jo. Ai vazhdon ta ngacmojë, duke i thënë se është ngrohtësia e tij që ajo nuk ndien të ftohtë. Ajo i kthehet, duke i thënë se nëse do të kishte thënë se ka ftohtë, atëherë i bie që të ishte ajsbergu i tij që po e ftoh, këtu Arbri zihet ngushtë.

Ngacmimet mes të dyve vazhdojnë deri sa ata vendosin të luajnë futboll.

Biseda

Banorët sërish kanë dalë në kopsht dhe bisedojnë. Arbri e pyet Najadën nëse në shoqërinë e saj ka ndonjë tip normal, pasi ajo i ka thënë se shoqja e saj, Idajetja, ha makarona me bukë.

Mes tyre është hapur një bisedë rreth shtatzënisë dhe aborteve. Najada thotë se është kundër aborteve, por kur Arbri e pyet se nëse ndodh ndonjë fatkeqësi dhe do t‘i duhet të abortojë, si do të vepronte ajo. Por Najada thotë se normalisht kur duhet, atëherë nuk se ç‘të bësh. Astriti thotë se abortet duhet të jenë patjetër të kontrolluara.

Pas kësaj biseda ka devijuar dhe Noçja tregon për një incident që ka ndodhur me Besartën, kur ajo thërriste me të madhe. Edhe Olsi bashkohet me Najadën, madje ai tregon një rast kur Julinda me Besartën qeshnin me të madhe dhe ai është larguar nga dhoma për t‘u çlodhur.

Arbri vazhdon ta pyesë Najadën nëse e ka marrë malli për ndonjë nga banorët e larguar, por ajo i përgjigjet se nuk e ka marrë malli për askënd. Pas kësaj Najada ngacmon Polin, duke e pyetur se kë do të donte të ishte brenda shtëpisë nga ato që kanë dalë, por Poli ia kthen përgjigjen me pyetje, se kë mendon ajo që ai do të donte brenda shtëpisë. Arbri thotë se po të ishte edhe Ina, atëherë do të bëheshin dy çifte në "Big Brother".

Por ngacmimet nuk kanë mbaruar me kaq, Najada shtron pyetjen se kush do të dalë nga dy të kandiduarit. Ajo qesh dhe thotë se Poli ka dëshirë që të dalë Najada, por i siguron atij se ajo nuk del. Arbri, nga ana tjetër, ngacmon Jonidën, duke e pyetur se çfarë do t‘i dhurojë atij nëse del, por ajo fillon të këndojë - "Ty do të marri malli".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›