E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baptista beson në titull

Julio Baptista beson ende në Scudetto, edhe pse Roma e tij dështoi ta mposhtte Milanin të shtunën për ta mbajtur hapin me kryesuesin, Inter. Klubi nga kryeqyteti italian mbetet 7 pikë prapa Nerazzurrëve, të cilën distancë futbollisti brazilian nuk e konsideron të paarritshme.

“Edhe Inter në fund të kampionatit do të humbasë pikë. Ndeshjet në fund të sezonit bëhen të vështira për të gjithë, edhe për ata (Interin), që e kanë nisur mbarë sezonin”, theksoi ish futbollisti i Real Madridit për Tuttosport. Sulmuesi i Romës thotë se përpos dështimeve eventuale të Interit, varet edhe nga vetë rrjedha e sezonit të ekipit Giallorossi.

“Varet edhe nga ne. Na presin 11 finale dhe synim yni është që të fitojmë gjithmonë, por është e qartë se vështirësitë janë edhe të nivelit psikologjik: kush e ndjek një ekip tjetër nuk mund të gabojë asnjëherë. Në fund do ta shohim pozitën tonë në renditje. Sigurisht, ne synojmë që vitin e ardhshëm të jemi pjesë e Ligës së Kampionëve”, vazhdoi Baptista.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›