E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Evropë, Veç dy ekipe

Pas pranimit të hendbollit kosovar në familjen e hendbollit evropian, entuziazmi i klubeve kosovare për pjesëmarrje nga garat evropiane ishte jashtëzakonisht i madh.

Por, ky entuziazëm tashmë ka filluar të shuhet. Kjo i ka detyruar edhe drejtuesit e Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF) të zvogëlojë numrin e klubeve nga Kosova për pjesëmarrje në garat evropiane.

Në sezonin e parë pas pranimit (2005-2006), EHF kishte vendosur që gjashtë skuadra kosovare (tri në konkurrencën e meshkujve dhe tri në atë të femrave) të garojnë në garat ndërkombëtare.

Mirëpo, kjo nuk shkoi gjatë. Në sezonin 2006-2007, në pamundësi të mjeteve financiare, disa klube nuk i zhvilluan fare ndeshjet në Evropë. Pas kësaj EHF vendosi që në sezonin e radhës vetëm 4 klube ta përfaqësojnë Kosovën në Evropë.

Por, joserioziteti i klubeve kosovare i ka shtyrë drejtuesit e hendbollit evropian që nga sezoni i ri vetëm dy klube (një nga konkurrenca e meshkujve dhe një nga ajo e femrave) të marrin pjesë nga garat evropiane (EHF Cup).

“Nga sezoni i ri, vetëm dy ekip kosovare pritet të marrin pjesë në garat ndërkombëtare. Sipas rangimit që ka bërë EHF, Kosovës ia ka lënë nga një klub në të dy konkurrencat, mirëpo ende nuk ka asgjë zyrtare”, ka thënë për Express sekretari i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Izet Gjinovci.

Sipas Gjinovcit, vendimi i shtëpisë evropiane të hendbollit për zvogëlimin e numrit të skuadrave për pjesëmarrje në garat evropiane, ka ardhur pas joseriozitetit të klubeve kosovare.

“Tërheqja e Prishtinës këtë sezon në momentet e fundit e po ashtu edhe e Vicianeve më herët ka lënë përshtypje të keqe te EHF. Dhe ata, duke e parë këtë, kanë vendosur ta zvogëlojnë numrin”, theksoi ai.

Mirëpo, Gjinovci mendon se rezultatet negative të klubeve kosovare në ndeshjet ndërkombëtare nuk kanë ndikuar në këtë reduktim. Sipas tij, edhe klubet nga rajoni nuk kanë pasur rezultate më të mira.

Në anën tjetër, sekretari i FHK-së beson se numri i skuadrave kosovare mund të rritet sezonet e ardhshme, kur klubet kosovare të stabilizohen financiarisht, me çka nuk do të kishin problem për të garuar në Evropë.

Derisa viteve të kaluara pjesëmarrjen në garat evropiane e kishin siguruar vendi i parë, i dytë dhe fituesi i Kupës së Kosovës, në të dyja konkurrencat, këtë viti në Evropë do të garojnë vetëm kampionët.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›