E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për Milanin, mision i (pa) mundur

Mesjava vazhdon me dy ndeshjet tjera të kthimit të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve, që luhen të mërkurën mbrëma. Manchester United gjendet në pozitë mjaft komode, pas fitores si mysafir i Milanit në Itali me rezultat 3:2, tri javë më parë.

“Djajtë e Kuq” këtë sezon kishin një mbrojtje të çeliktë në Premierligë, ndërsa në Ligën e Kampionëve, në tri ndeshjet që i luajtën në Old Trafford, në fazën e grupeve (kundër Wolfsburg, CSKA Mosca e Besiktas) gjithnjë kanë pësuar gol.

Sidoqoftë, menaxheri Sir Alex Ferguson ka thënë se nëse lojtarët e tij e shënojnë një gol, atëherë kualifikimi në çerekfinale do të jetë punë e kryer. Skocezi, megjithatë, do ta ketë në dispozicion sulmuesin e rrezikshëm Wayne Rooney, prania e të cilit ishte e dyshimtë pas problemeve me gju.

“Ne duhet ta bëjmë lojën tonë dhe të mundohemi ta shfrytëzojmë çdo mundësi që na vjen përpara. Duhet të jemi të qetë dhe të kujdesshëm. Gjërat do të bëheshin më të lehta nëse shënojmë gol”, ka thënë menaxheri Ferguson.

Nëse Manchesterit i konvenon barazimi ose humbja 0:1 e 1:2, në pozitë shumë më të vështirë gjendet Milani. Rossonerët u mposhtën në San Siro 2:3 muajin e kaluar, ndërsa një mrekulli (fitore 2:0) në “Teatrin e Ëndrrave” do t’i dërgonte ata në çerekfinale. Italianët e dinë se do ta kenë mjaft të vështirë ta mposhtin Manchesterin në shtëpi të vet, por Ronaldinho dhe shokët e tij të paktën do të tentojnë.

“Unë kam besim te ky ekip, në këta futbollistë. Ne me të vërtetë besojmë. Futbolli të jep mundësi të mëdha. Do të ishte e jashtëzakonshme të shkojmë në Old Trafford dhe ta fitojmë një ndeshje të rëndësishme. Nuk po mendoj të fitojmë 2:0. Po mendoj për fitore, të shkojmë atje për të shënuar gola në fushën e Manchesterit, që e ka stilin e vet të lojës. Ne duhet të luajmë si dimë dhe të mundohemi të shënojmë gola. Kjo do të ishte mahnitëse”, ka thënë trajneri i Milanit, Leonardo, i cili do t’i ketë në dispozicion Paton dhe Seedorfin për ndeshjen e së mërkurës.

Në përballjen tjetër do të luajnë Real Madrid dhe Lyon. Madrilenët, të cilët u mposhtën në Francë tri javë më parë nga Lyon, shpresojnë ta arrijnë çerekfinalen, për herë të parë pas gjashtë sezonesh.

“Do të ishte dështim për ne nëse nuk e kalojmë këtë turn. Lyon nuk është njëri prej ekipeve më të mëdha në Evropë”, theksoi mesfushori i Real Madridit, Guti.

Liga e Kampionëve

E mërkurë Ora
Man. Utd – Milan 20:45
Real Madrid – Lyon 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›