Baraj : Aferat korruptive ulin konkurrencën
Partia Socialiste vlerësoi dje se reklama më e mirë për Shqipërinë, që mund të bënte qeveria Berisha dhe ministri Pango për të ftuar turistët vendas dhe të huaj, do ishte informimi se në bregdetin shqiptar nuk derdhen më ujërat e zeza. "Është kjo arsyeja që në shumicën e plazheve tona në sezonin e verës, niveli mikrobial është mbi atë maksimal të lejuar, e për rrjedhojë janë të shumta rastet e shfaqjeve të diareve apo infeksioneve, veçanërisht te fëmijët", tha Baraj. Sipas tij, nëse realisht qeveria Berisha do të kishte prioritet turizmin në zonën bregdetare, do të kishte përfunduar para afatit projektet e nisura nga qeveria paraardhëse. "Është kjo paaftësi, qoftë menaxhuese, apo e gjetjes së burimeve financiare, si dhe rendja pas aferave korruptive, që çon në përkeqësimin e imazhit të Shqipërisë dhe uljen e aftësisë së saj konkurrues në tregun ndërkombëtar të turizmit", u shpreh drejtuesi socialist.