Topi nderon viktimat e "ambasadës sovjetike"
Incidenti i "bombës në ish-ambasadën sovjetike" më 27 shkurt të vitit 1951, që solli pushkatimin nga regjimi komunist të 22 personave rikthehet sërish në vëmendjen e opinionit publik. 58 vite pas masakrës së vitit 1951, Presidenti Bamir Topi ka pritur në Pallatin e Brigadave, familjarët e viktimave që u pushkatuan nga regjimi komunist, pas shpërthimit të ndodhur në Ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë. "Në kulmin e represionit komunist, u vranë 22 përfaqësues në familjet më të shquara shqiptare, duke treguar qartë servilizmin e pashoq të Bashkimit Sovjetik", u shpreh Presidenti Topi gjatë fjalës së tij. Duke ironizuar regjimin e diktatorit Enver Hoxha, kreu i shtetit theksoi se "për mustaqet e Stalinit u vranë njëzetedy përfaqësues të familjeve më të shquara shqiptare". Presidenti e cilësoi ngjarjen si një fenomen që në ato vite tronditi jo vetëm kombin shqiptar, por edhe opinionin publik ndërkombëtar. "Ka qenë një ngjarje e dhimbshme ku përfaqësuesit e shtetit komunist demonstruan gjenocidin ndaj bashkëkombësve të tyre. Gjithçka ishte ndërtuar mbi bazën e një skenari", tha ai. Pak ditë nga afati i përcaktuar nga qeveria për nisjen e dëmshpërblimit financiar të ish të përndjekurve, Presidenti Topi ka kërkuar që ky proces të mos mbesë vetëm në tentativë. "Gjithçka të vlerësohet në atë linjë që ne kemi thënë, sidomos në mënyrë shumë frekuente në muajt e fundit, që të bëhet gjithçka jo thjesht për t‘i kujtuar, por për të rikuperuar sado pak edhe në linjën e ligjeve, të dëmshpërblimeve morale dhe ekonomike për një shtresë dhe për pasardhësit e tyre", u shpreh Presidenti. Pritet që drafti të votohet në Parlament në mesin e muajit mars, por nuk dihet ende nëse do të bllokojë fondin e përcaktuar deri tani në buxhetin e shtetit, siç pati paralajmëruar Ministria e Financave, e cila është pozicionuar kundër zgjerimit të përfituesve me arsyen se fatura do të ishte e papërballueshme. Nga ana tjetër, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, paralajmëroi nga Shkodra të premten se do të zgjerohet gama e përfituesve nga dëmshpërblimi. Historia tronditëse e familjarëve të 22 viktimave të natës së 27 shkurtit të 1951 është gjithsesi vetëm një nga historitë e përgjakshme të regjimit diktatorial më të egër në Evropë. Familjarët dhe pasardhësit e njëzet e dy viktimave të arrestuara e më pas të pushkatuara, ku numëroheshin disa prej intelektualëve më të shquar e më në zë të kohës si Pjerin Guraziu, Niko Lezo, Anton Delhysa, Qemal Kasaruho, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Sabiha Kasimati, Reiz Selfo, Jonuz Kaceli etj., u nderuan dje nga Presidenti Bamir Topi, duke përkujtuar njërën prej ngjarjeve më të rënda të krimeve të sistemit të atëhershëm diktatorial.
Familjarët
Kasoruho: Krim pa shembull
në historinë e Shqipërisë
Pasardhësit e 22 viktimave, familjarët e tyre e njohin historinë më mirë se cilido tjetër, pasi kanë ndier jo thjesht ekzekutimin pa gjyq të përfaqësuesve të tyre më të nderuar, por pas këtij akti barbar, filloi një persekutim kompleks për të gjitha familjet, me internime dhe persekutim shoqëror. Shkrimtari dhe përkthyesi, Amik Kasoruho, i biri i të ndjerit, Qemal Kasoruho, duke sjellë fragmente nga e shkuara e tij e dhimbshme sqaroi se "ai ishte një krim që nuk ka shembull në historinë e Shqipërisë". Në emër të grupit të familjarëve, djali i një prej të pushkatuarve më 27 shkurt të vitit 1951, Qemal Kasoruho u shpreh se "unë do të flas për të gjithë ata që nuk kanë gjetur ngushëllim, që nuk kanë gjetur shpagë gjatë këtyre viteve dhe duke falënderuar Presidentin për këtë rast që na jep. Sot është dita e përvjetorit. Sot jemi te Presidenti. Janë dy ngjarje shumë kontradiktore në pamje të parë. Vrasja e njerëzve dhe nderimi i kujtimit të tyre. Kjo është jeta jonë".