E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSD: Kriza ekonomike ka mbërthyer vendin

Socialdemokratët denoncuan sjelljen, sipas tyre "vrastare", të qeverisë ndaj shtetasve të saj në këtë periudhë krize ekonomiko-financiare që ka mbërthyer vendin. Sipas tyre, edhe pse qeveria është paralajmëruar për ardhjen e krizës, ajo nuk u kujdes që të parandalonte apo të zbuste efektet shkatërruese të kësaj krize ndaj buxhetit të qytetarëve, ndaj bizneseve dhe ndaj gjithë shoqërisë shqiptare. "Deficiti tregtar u thellua ndjeshëm, veçanërisht në tremujorin e katërt të vitit 2008, dhe në muajt e parë të këtij viti, ku eksporti shkon drejt shuarjes në të gjitha tregjet", u shpreh Pajtim Bello. Ekonomia shqiptare, vijoi ai, nuk pësoi rritje reale në vitin 2008, por ajo që është më shqetësuese, në vitin 2009 do të kemi rritje negative, ashtu siç po ndodh në këtë fillim viti. "Përballë varfërisë në rritje dhe kur gjithë efektet e krizës do të bien mbi qytetarët deri edhe te kursimet e tyre në lekë, apo në monedhë të huaj, nuk ka vend për cinizëm dhe fjalime patetike", theksoi Bello.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›