Baraj: “Berisha, jep pagat dhe shpërblimet, ose largohu!”
Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj, i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha t’i japë pagat dhe shpërblimet punonjësve të administratës, ose ndryshe të largohet. Në fjalën e tij të mbajtur dje në një konferencë për shtyp, Baraj tha se këtë dhjetor nëpunësit e administratës civile, mësues, mjekë, policë, ekonomistë, juristë, punonjës të administratës qendrore e vendore, ndryshe nga vitet e tjera, nuk do të mund të marrin as shpërblimin e merituar, madje as rrogën e dhjetorit. “Mjaft luajte me problemet dhe hallet e shqiptarëve. Mjaft ua rëndove shqiptarëve edhe më shumë krizën ekonomike duke iu shtrenjtuar energjinë dhe rritur çmimet”, - është shprehur Baraj, duke iu drejtuar kryeministrit Berisha. Në vijim të falës së tij Baraj u shpreh se 107 mijë shqiptarë, nëpunës të administratës civile, kanë marrë këto ditë lajm të keq nga Sali Berisha dhe Ridvan Bode. “Këto dy personazhe, pasi luajtën teatrin e radhës ku diskutuan mbi mundësinë e dhënies së shpërblimeve, rezultati mbetet i njëjtë. Në këtë prag fundviti jep shpërblimet, paguaj rrogat, ose përndryshe largohu, bashkë me ministrin tënd të piramidave dhe kutitë që mban peng”, - ka përfunduar Baraj.
Gjermeni: “Berisha, paguaj invalidët, ose largohu!”
Deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha të paguajë invalidët, ose të largohet. Sipas Gjermenit, janë 48 mijë invalidë pune, të cilëve nuk u janë paguar shtesat e invaliditetit. Sipas saj, kjo shtresë e popullsisë është një nga grupet që po ngre zërin çdo ditë për të drejtat e tyre, ndërkohë që u ka arritur thika në kockë. Ajo tha se shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe social për këtë kategori të shoqërisë janë jashtë çdo standardi minimal, ndaj apeli i PS-së për qeverinë është të plotësojë këto shërbime, ose të largohet. “Veç bllokimit të pagesës së shtesave, qeveria, në mënyrë të paligjshme, nuk realizon detyrimin e indeksimit të shtesave duke ia lënë të gjithë barrën e krizës në të cilën ndodhet vendi, që invalidët ta përballojnë vetë. Kjo qeveri është e paaftë për të menaxhuar paratë e shqiptarëve, pasi mendon vetëm për interesat e saj. Invalidët kanë muaj që protestojnë për paratë e munguara në familjet e tyre, ndaj opozita sot i kërkon me forcë kryeministrit të japë pagesat e tyre, ose të largohet”, - përfundoi fjalën deputetja Gjermeni.
Dogjani: “Shembja e tunelit të Kalimashit ka izoluar Veriun”
Partia Socialiste ka akuzuar qeverinë se e përdori tunelin e Kalimashit për fushatë zgjedhore dhe e hapi atë pa përfunduar, ndërkohë që tani është mbyllur dhe është i pakalueshëm për qytetarët. Sipas socialistit Asllan Dogjani, Berisha i gënjeu shqiptarët gjatë fushatës zgjedhore për lidhjen e Shqipërisë me Kosovën. “Gjatë fushatës zgjedhore, Sali Berisha u premtoi shqiptarëve se Shqipëria do të lidhej me Kosovën përmes Rrugës së Kombit. Gjashtë muaj pas zgjedhjeve, të vërtetën e të cilave Sali Berisha e mban fshehur në kutitë e mbyllura të votimit, tuneli që do të lidhte dy vendet tona gjendet i shembur”, - është shprehur Dogjani. Sipas deputetit socialist, situata në këtë dimër është shumë e rëndë për zonat veriore të Shqipërisë dhe tuneli është i shembur e rruga e pambaruar bën që situata në Veri të Shqipërisë të jetë edhe më e keqe se një vit më parë. “Pse hesht qeveria dhe nuk u përgjigjet pyetjeve të bëra për të disatën herë nga ana jonë? Këto janë pyetjet e banorëve të Veriut të Shqipërisë, të cilët jo vetëm nuk u afruan më pranë Kosovës, por nga shembja e tunelit u izoluan edhe nga vetë shqiptarët”, - u shpreh Dogjani. Ai konsistoi në fund të fjalës së tij se PS-ja do të vazhdojë me këto pyetje, të cilat shqiptarëve u interesojnë shumë, pasi janë të lidhura me jetët e tyre, derisa të gjejnë përgjigje.
19 Dhjetor 2009