Këshilli Kombëtar, lista e anëtarëve që pret firmën e Berishës
Selia blu nuk publikon fituesit pa “urdhrin” e kryetarit. “Luftë” mes lidershipit për të marrë sa më shumë vota
Eljona Ballhysa
Burimet nga selia blu bëjnë të ditur se lista e anëtarëve të rinj fitues për Këshillin Kombëtar të PD-së ka përfunduar. Por duket se kjo listë nuk bëhet publike për faktin se nuk është parë nga kryetari i Partisë, Sali Berisha. Ky i fundit, prej tri ditësh ndodhet në Kopenhagë të Danimarkës, ku merr pjesë në Samitin e krerëve të shteteve për mbrojtjen e klimës. Prej tri ditësh anëtarët e grupit të numërimit të votave kanë deklaruar se lista do të bëhej publike dje paradite, por publikimi i saj u shty për shkak se nuk ndodhej në Tiranë kryetari i PD-së, Sali Berisha. Ky i fundit pritet t’i japë “dorën e fundit” listës së anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Ashtu sikurse ka ndodhur edhe gjatë zgjedhjeve të kaluara, për këtë forum të lartë vendimmarrës pritet që kryetari të vendosë “vulën e fundit” për t’i dhënë asaj legjitimitetin.
Anëtarët
Burimet kanë bërë të ditur se pjesë e listës së re janë shumica e deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Sipas tyre, kjo shpjegohet se kryesisht delegatët të ardhur nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, personin e dytë pas kryetarit të partisë vendosin për të votuar deputetin e zonës së tyre elektorale. Ndaj shumica e deputetëve të PD-së që kanë qenë kandidatë për Këshillin Kombëtar kanë marrë votat e duhura për të zënë një karrige në këtë forum të lartë vendimmarrës. Po kështu, pjesë e listës janë disa prej këshilltarëve të kryetarit të partisë, Sali Berisha.
Ashtu sikurse ka shpjeguar dje për mediat, kryetari i grupit të numërimit të votave, Igli Cara, më shumë vota kanë marrë ata persona që gëzojnë popullaritet. Sipas burimeve, për këtë arsye duket se rezulton fituese edhe këngëtarja demokrate Çiljeta Xhilaga. Vazhdojnë të mbeten ende me pikëpyetje emrat e disa prej anëtarëve të vjetër të PD-së, si Biberaj, Mustafaj dhe Stringa. Megjithëse që të tre kanë marrë shumicë votash në zgjedhjet e mëparshme, nuk dihet ende se si do të jetë vendimi përfundimtar për këta ish-anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe të Kryesisë Qendrore të PD-së. Cara, më tej, gjatë fjalës së tij, e ka justifikuar vonesën në nxjerrjen e rezultatit përfundimtar në kohën prej 8 minutash që kërkon numërimi i një flete votimi. “Mendoj se kemi ecur mirë. Rreth 70% e fletëve të votimit janë numëruar. Besoj se nesër paradite do të kemi rezultatet”, - është shprehur Cara, kryetar i komisionit zgjedhor në PD.
Lufta
Ajo që është vënë re, sipas burimeve, ka qenë lufta për një renditje sa më të lartë në listën e fituesve. Disa prej figurave kryesore të partisë kanë synuar të marrin sa më shumë vota, duke kryesuar listën e anëtarëve fitues. Përveç kryetarit të partisë, Sali Berisha, i cili pa dyshim që ka marrë votat e pothuaj të gjithë delegatëve, anëtarët e tjerë të lidershipit të partisë synojnë të vijnë pas tij në renditje. Kështu, burimet bëjnë të ditur se rivaliteti për të zënë vendin e dytë në listë vihet re midis katër apo pesë figurave kryesore të partisë. Ata kanë marrë shumicën e votave të delegatëve. Të tillë janë Jozefina Topalli, Lulzim Basha, Ridvan Bode, Astrit Patozi dhe Sokol Olldashi. Këto figura gëzojnë mbështetjen e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili do të jetë personi i fundit që do t’i japë kontrollin e fundit listës së fituesve. Për të pestë anëtarët e përmendur shikohet si e rëndësishme renditja në listë, pasi tregon mbështetjen që ata gëzojnë brenda partisë. Në rast se ata marrin një shumicë të madhe votash, atëherë ata spikasin brenda radhëve të PD-së, dhe ky është një tregues për vazhdimin e karrierës së tyre politike në parti.
Lista paraprake e fituesve
Sali Berisha, kryetar i PD-së, kryeministër
Lulzim Basha, ministër i Brendshëm
Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit
Astrit Patozi, kryetar i Grupit Parlamentar
Ridvan Bode, ministër i Financave
Jemin Gjana, deputet
Sokol Olldashi, ministër i Transporteve
Edi Paloka, deputet
Arben Imami, ministër i Mbrojtjes
Aldo Bumçi, deputet
Bujar Nishani, ministër i Drejtësisë
Majlinda Bregu, ministre e Integrimit
Edmond Spaho, deputet
Mesila Doda, deputete
Juela Meçani, zëdhënëse e kryeministrit
Erla Mëhilli, Zëdhënëse e PD-së
Gerti Bogdani, deputet
Enkelejd Alibeaj, deputet
Ferdinand Poni, zëvendësministër i Brendshëm
Flamur Noka, deputet
Rajmonda Bulku, deputete
Gazmend Oketa, deputet
Genc Pollo, ministër i Reformave
Genc Ruli, ministër i Bujqësisë
Gent Strazimiri, deputet
Gjergj Bojaxhiu, anëtar i Kryesisë së PD-së
Gjergj Lezhja, sekretar i Përgj. i Kryeministrisë
Gjokë Uldedaj, deputet
Glori Hysi, këshilltar i kryeministrit
Admir Drago, këshilltar i kryeministrit
Albana Vokshi, kryetare e LDGSH-së, deputete
Albert Avduli, shef i organizimit të PD-së
Arben Qirjako, kryeregjistrues i Republikës
Ardian Turku, nënkryetar Parlamenti, deputet
Arenca Trashani, deputete
Ariana Çela, këshilltare e kryeministrit
Avenir Peka, zëvendësministër i Brendshëm
Bardh Spahia, zëvendësministër i Shëndetësisë
Çiljeta Xhilaga, këngëtare
Dashnor Sula, deputet
Dhori Kule, rektor i Universitetit të Tiranës
Edit Harxhi, zëvendësministre e Jashtme
Edlira Hykaj, asistente e kryeministrit
Eduart Halimi, deputet
Eduart Ndreu, drejtor porti Durrës
Eduart Ypi, drejtor në Min. e Financave
Elvana Hana, drejtore e ISKSH-së
Eno Bozgo, zëvendësministër i Ekonomisë
Fatbardh Kadilli, deputet
Fatmir Nezaj, drejtor në Min. e Transporteve
Fatos Beja, deputet
Fatos Hoxha, deputet
Ferdinand Shehu, nëndrejtor i ALUIZNI-t
Ferdinand Xhaferri, ministër i Kulturës
Florian Mima, deputet
Gazmend Dibra, drejtor i Përgj. i Burgjeve
Gentian Zere, kryetar i FRPD
Halit Shamata, zëvendësministër i Arsimit
Helga Vukaj, nëndrejtoreshë e Agjencisë së Pronave
Ilir Bano, deputet
Jorida Tabaku, zëvendësministre e Integrimit
Justina Boriçi, anëtare e Këshillit Kombëtar
Keltis Kruja, prefekt i Tiranës
Lajla Pernaska, deputete
Ledina Aliolli, deputete
Lefter Maliqi, deputet
Leonard Demi, deputet
Luan Malltezi, anëtar i Këshillit Kombëtar
Luan Skuqi, deputet
Mark Marku, deputet
Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit
Nezir Haldeda, zëvendësministër i Financave
Oerd Bylykbashi, shef kabineti i kryeministrit
Osman Metalla, deputet
Selami Xhepa, deputet
Shaban Memia, drejtor i ALUIZNI-t
Sheferedin Shehu, deputet
Spiro Ksera, ministër i Punës
Taulant Bino, zv.ministër i Mjedisit
Tritan Shehu, deputet
Viktor Gumi, deputet
Besnik Mustafaj, ish-deputet
Aleksandër Biberaj, ish-deputet
Omer Stringa, anëtar i PD-së
19 Dhjetor 2009