E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania: Situata politike po nxjerr nga binarët demokracinë

Zëvendësambasadorja e Britanisë bën thirrje për dialog. Ndërkombëtarët: “Kriza do të sjellë pasoja për vendin”
Eljona Ballhysa
Kriza politike në vend ka nxitur reagimin e djeshëm të numrit dy të Britanisë së Madhe në Shqipëri. Zëvendësambasadorja e Britanisë në Shqipëri, Elisabeth Evans, ka shprehur shqetësimin për situatën politike në të cilën ndodhet vendi. Sipas saj, nëse palët nuk ulen për të dialoguar, atëherë situata mund të shkojë deri atje sa të nxjerrë nga binarët demokracinë. Deklarata e fortë e zëvendësambasadores britanike është bërë dje gjatë fjalës së mbajtur gjatë një konference shkencore me temë “Marrëdhëniet shqiptaro-britanike në shek. XIX-XX”, e organizuar nga departamenti i historisë në Universitetin e Tiranës. Çdo ditë në Shqipëri po reagojnë përfaqësues të Trupit Diplomatik. Ambasadorët e të gjitha vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në Tiranë, por edhe ambasadori amerikan, kanë bërë thirrje të herëpashershme që politikanët shqiptarë të ulen, të dialogojnë dhe të gjejnë gjuhën e konsensusit në mënyrë që t’i jepet fund krizës politike në vend. Madje numri dy i Britanisë në Shqipëri parashikon në deklaratën e saj pasoja negative për vendin në rast se kriza nuk gjen zgjidhje. Ajo shton se politikanët shqiptarë do t’i dënojë historia.
Deklarata
“Duhet dialog për të zgjidhur krizën politike. Kjo situatë mund të nxjerrë nga binarët demokracinë në vendin tuaj”, - ka pohuar Evans. Më tej diplomatja britanike ka rikonfirmuar mbështetjen e Britanisë ndaj integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ndërkohë që është shprehur se Britania e Madhe do të ndihmojë Shqipërinë edhe nëpërmjet projekteve në fusha të ndryshme. Deklarata e zëvendësambasadores britanike është në të njëjtën linjë me deklaratat e ambasadorëve të vendeve të BE-së në Tiranë. Pak kohë më parë, tetë ambasadorë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, në një deklaratë për përbashkët për median, i bënë thirrje politikës shqiptare që të gjejë gjuhën e përbashkët dhe të dalë nga situata e krijuar. Sipas ambasadorëve, u takon pozitës dhe opozitës gjetja e kompromisit dhe se faktori ndërkombëtar nuk duhet të ndërhyjë në një situatë të tillë. “Që të jeni pjesë e Bashkimit Europian duhet t’i zgjidhni vetë problemet tuaja, e jo të prisni ndërhyrje nga jashtë”, - shkruhej në deklaratën e ambasadorëve të BE-së. “Kompromisi duhet të zgjidhë situatën, dhe ky kompromis duhet dhënë nga të dyja palët”, - vazhdon më tej deklarata.
Edhe ambasadori i Holandës, tri ditë më parë sugjeroi gjetjen e kompromisit mes palëve. Të dy kundërshtarët kryesorë duhet të ulen në tavolinë, të flasin me njëri-tjetrin dhe të jeni të sigurt që ne nuk kemi për të bërë asnjë lloj sugjerimi. Ne presim që ata të dalin së shpejti me një zgjidhje që ta kthejnë edhe njëherë këtë demokraci në një demokraci funksionale”, - është shprehur ambasadori i Holandës. Ndërsa ambasadori Bosh ka vënë theksin te domosdoshmëria e komunikimit mes dy kampeve. “Hapi i parë, duhet të komunikoni rregullisht me partnerin, përndryshe mund t’i shkelësh këmbën. Hapi i dytë, duhet të dëgjosh me dashamirësi dhe të vesh re të metat e partnerit. Ka ardhur koha e kompromisit. Hapi i tretë, që të vazhdosh të kërcesh gjatë, duhet të flitet me njëri-tjetrin, madje dhe duke pëshpëritur në takime informale. Është koha për të folur me ton më të qetë e me gjuhë më të zbutur”, - tha ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, pak ditë më parë.

OSBE, tryezë për rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë

Në një tryezë për pjesëmarrjen e grave në politikë, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, por dhe ai holandez, kanë deklaruar dhe njëherë se politika shqiptare duhet të ulë replikat. Shqetësuese sipas diplomatëve është niveli shumë i ulët i përfaqësimit të gruas në vendimmarrje. “Situata e përfaqësimit të grave në strukturat vendimmarrëse është ende shumë larg prej asaj që duhet të jetë. Ka disa përpjekje, por jeni ende shumë larg. Duhet të kuptoni se kur luftoni për të drejtat tuaja, nuk jeni as demokrate dhe as socialiste, as të majta e as të djathta, por jeni të një qëllimi të përbashkët”, - theksoi ambasadori i OSBE-së.
“Mbetet shumë për t’u bërë, pasi Shqipëria ka përqindjen më të ulët në Europë për numrin e femrave të zgjedhura në Kuvend. Thelbësore është të hiqet dorë nga apatia se femrat nuk mund të bëjnë dot asgjë në politikë. Duhet dhe vullnet nga partitë politike në ristrukturimin e tyre në favor të përfaqësimit të gjinisë femërore”, - u shpreh ambasadori holandez. Viti 2009 po mbyllet me marrëdhënie të acaruara dhe mungesën totale të dialogut në politikën shqiptare. Diplomatët e huaj kanë shtuar apelet e tyre për vendosjen e dialogut mes socialistëve dhe demokratëve, duke mos ngurruar të paralajmërojnë se vijimi i situatës mund të cenojë të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Meta ripërsërit ftesën për dialog me opozitën

Zëvendëskryeministri Ilir Meta ka përsëritur dje ftesën për dialog me opozitën. Gjatë një deklarate për shtyp nga selia e LSI-së, Meta ka kundërshtuar deklaratat e Ramës për krizën ekonomike në vend, ndërsa ka ftuar opozitën të vijë në Parlament dhe të japë sugjerime për zhvillimet ekonomike në vend. “Unë dua të shpreh besimin se jo vetëm që situata ekonomike do të vijojë të jetë e qëndrueshme, jo vetëm që Shqipëria do të vijojë të ketë një rritje ekonomike pozitive, jo vetëm që Shqipëria do të vijojë të ketë një rritje të mëtejshme të investimeve të huaja në vend, por pa asnjë diskutim, qeveria do t’i realizojë të gjitha objektivat e saj dhe unë do t’i ftoja të gjithë përfaqësuesit e opozitës që të mos u kundërvihen reformave ekonomike dhe sociale”, - është shprehur Meta, ndërsa theksoi se për të bërë dialog duhen dy palë.
“Maxhoranca do të jetë gjithnjë e hapur për dialog dhe bashkëpunim me opozitën, por edhe me grupet e tjera të interesit në vend, sepse dialogu është një proces shumë më i gjerë sesa thjesht dhe vetëm Parlamenti. Ju e dini që dialogu kërkon gjithnjë më shumë se sa një palë për t’u zhvilluar. Qeveria dhe maxhoranca kanë qenë dhe mbeten pala e palëkundur për dialog dhe mirëkuptim”, - është shprehur Meta.

19 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›