Bashkia: Skandali, 6 ministra shkelin rende ligjin, nuk paguajne taksat
Qeveritarët, prej disa vitesh në borxh me Bashkinë e Tiranës. Shmangia e taksave, implikohen 6 ministra dhe 10 zëvendësministra
Emanuela Sako
Bashkia e Tiranës bën publik skandalin e mospagimit të taksave vendore nga ministrat dhe zëvendësministrat. Tarifat vendore, si taksa e pastrimit dhe taksa e gjelbër, që janë rregull i detyrueshëm për çdo qytetar të thjeshtë, nuk zbatohen nga përfaqësuesit e qeverisë, të cilët prej disa vitesh u janë shmangur këtyre detyrimeve. Janë 6 ministra dhe 10 zëvendësministra, pjesë e shkeljes ligjore dhe thyerjes së drejtpërdrejtë të rregullave. Bashkia e Tiranës, nëpërmjet zëdhënëses Joana Bushi, ka bërë publike listën e plotë me emrat e pushtetarëve që nuk paguajnë taksat. Sipas deklaratës, listën e kryeson vetë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, pjesë e Ministrisë të cilën drejton, është dhe pushteti lokal. Po kështu, zëvendësministri i së njëjtës Ministri, Ferdinand Poni, ka 3 vjet pa paguar asnjë taksë apo tatim. “Qeveria nuk i ndal sulmet dhe shpifjet ndaj Bashkisë, ndërkohë që anëtarët e saj thyejnë ligjin duke mos shlyer detyrimet njësoj me qytetarët e tjerë. Qeveria e Sali Berishës nuk i ndal sulmet e shpifjet ndaj Bashkisë së Tiranës. Kjo qeveri nuk ndal as dhunimin permanent ndaj ligjit dhe Kushtetutës. Pasi masakroi financat e bashkive dhe komunave, qeveria e Sali Berishës i hapi luftë biznesit të vogël, duke e kaluar arbitrarisht në biznes të madh, ndërkohë që pjesëtarët e kësaj qeverie shkelin ligjin, duke mos paguar në kolektiv taksat dhe tarifat vendore, detyrim ligjor i çdo qytetari”, - thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.
Qeveritarët
Lista e shkelësve të ligjit është e përbërë nga 16 pushtetarë, të cilët, në dallim nga qytetarët e thjeshtë, kanë ndjekur rrugën e thyerjes së ligjit. Bashkia e Tiranës bën të ditur se numri i pushtetarëve që nuk paguajnë taksat është edhe më i lartë. Ndërsa ata që janë verifikuar si të tillë janë: Lulzim Basha, ministër i Brendshëm; Arben Imami, ministër i Mbrojtjes; Bujar Nishani, ministër i Drejtësisë; Sokol Olldashi, ministër i Punëve Publike; Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit dhe Shkencës; Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë; Edit Harxhi, zëvendësministre e Jashtme; Iva Zajmi, zëvendësministre e Brendshme; Zana Xhuka, zëvendësministre e Mbrojtjes; Jorida Tabaku, zëvendësministre e Integrimit; Nezir Haldeda, zëvendësministër i Financave; Alfred Rushaj, zëvendësministër i Financave; Neritan Alibali, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Energjetikës; Eno Bozdo, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Energjetikës; Edmond Haxhinasto, zëvendësministër i Punëve Publike; Fedrinand Poni, zëvendësministër i Brendshëm. Përfaqësuesit e shtetit listohen nga Bashkia e Tiranës për të disatën herë, pasi edhe vitin e kaluar, në Bashkinë e Tiranës janë shënjuar emra të personazheve kryesorë të politikës, të cilët nuk paguajnë taksat vendore.
Deklarata
Bashkia e Tiranës ka vendosur në qendër të vëmendjes ministrin Basha dhe zëvendësministrin Poni, për të cilët funksioni që ata kanë është edhe pushteti lokal, ndaj dhe përgjegjësitë dhe zbatimi i ligjit për ta duhet të ishte primar. Ndërsa zëvendësministri Poni bëhet e ditur se prej 3 vitesh nuk i paguan asnjë taksë Bashkisë së Tiranës. “Listën e kryeson vetë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, pjesë e Ministrisë të cilën drejton është dhe pushteti lokal. Dhe kjo listë vazhdon gjatë. Por rekordin e thyen një nga ndotësit më të mëdhenj, vetë shtetasi Ferdinad Njazi Poni, zëvendësministër i Brendshëm, i cili ka 3 vjet pa paguar asnjë taksë apo tatim, pra një shkelje e ligjit me të dyja këmbët. Shtetasi Fernand Njazi Poni, përveç të tjerash, është zëri më i çjerrë i politikës së përbaltjes, ai i kujton çdo ditë Bashkisë së Tiranës mes shpifjesh, zbatimin e ligjit, të cilin ai e përbuz”, - theksoi zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës.
19 Dhjetor 2009