Rama kthen përgjigje: “Dialog vetëm nëse krijohen kushtet nga qeveria”
Socialistët vazhdojnë turin e protestave në Fier dhe Vlorë. Kryesocialisti u përgjigjet ftesave të Metës për dialog politik
Eliona Lata
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ka kthyer përgjigje dje ftesave të njëpasnjëshme nga përfaqësues të qeverisë për të zhvilluar dialog politik mes palëve. Gjatë fjalës së mbajtur dje në protestën e radhës së PS-së në qytetin e Fierit, Rama është shprehur se është i gatshëm të dialogojë me krerë të qeverisë vetëm në rast se kjo e fundit krijon kushtet e duhura. Sipas kryesocialistit, kusht parësor është hapja e kutive të votimit dhe tërheqja e të gjitha akuzave të hedhura kundrejt tij nga përfaqësues të maxhorancës. Vetëm një ditë më parë, kryetari i LSI-së, ish-aleati i Ramës, zëvendëskryeministri aktual Ilir Meta, bëri thirrje për zhvillimin e dialogut politik mes Ramës dhe Berishës, si e vetmja mënyrë për ta nxjerrë vendin nga ngërçi politik. Meta madje u shpreh se ka ardhur momenti që Berisha e Rama të ulen në një tryezë bisedimi. Ai nuk përjashtoi dhe veten e tij për të negociuar, për t’i dhënë fund krizës politike në vend. Dje ka ardhur përgjigjja nga kreu i socialistëve, Rama, i cili ka drejtuar gjatë ditës së djeshme dy protestat e radhës së PS-së në qytetin e Fierit dhe në atë të Vlorës. Gjatë fjalës së tij, midis të tjerave, Rama ka vënë theksin në krizën ekonomike që ka pllakosur vendin dhe në masat që duhet të marrë qeveria për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë.
Përgjigjja
Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se socialistët nuk mund të dialogojnë me një qeveri që ka vjedhur votat e qytetarëve dhe që nuk ka legjitimitet për të qeverisur. Ai tha se më parë Berisha duhet të tërheqë akuzat e lëshuara kundrejt tij dhe deputetëve të tjerë të PS-së. “Më e bukura, na ftojnë në Parlamentin e kutive të mbyllura e na kërkojnë dialog për të mirën e vendit, që siç e shihni, po u dhimbset shumë tani që karrigia po u zhytet në qelbin shpërthyes të ekonomisë së gangrenizuar nga korrupsioni. Dialog? Po, por më parë të marrin mbrapsht akuzat e turpshme dhe shpifjet monstruoze ndaj opozitës. Dialog? Po, por më parë të hapin kutinë e mbyllur të të dhënave reale e të realitetit të plagëve të ekonomisë. Dialog? Po, por më parë të heqin dorë nga kushti i moshapjes së kutive, duke i dhënë fund gënjeshtrës që hapja e kutive bie në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, - është shprehur Rama. Sipas tij, këto nuk janë kushte që opozita i vendos qeverisë, por janë domosdoshmëri në një sistem funksional të demokracisë. “Po vëmë kushte? Jo. Po themi vetëm që dialogu duhet të jetë demokratik, i barabartë, i vërtetë, i hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë dhe në asnjë mënyrë mjet shpëtimi për një pushtet që hedh lumin e vret kalin. Dhe nëse duan vërtet dialog, ta harrojnë se mund ta realizojnë duke u tallur me ndërkombëtarët, se me ne nuk tallen dot më. Ta harrojnë se e realizojnë dialogun duke bërë shfaqje banale urtësie për të larë gojën dhe për të thënë: Ja, ne duam dialog, po s’do opozita. Jo, nëse duan dialog të krijojnë kushtet për dialog dhe ta harrojnë se mund të ekzistojë ndonjë dialog sa për të rikthyer opozitën në Parlament e për të na rifilluar farsën e demokracisë pa liri e të drejta të barabarta për të gjithë, pa institucione të pavarura, pa garanci kushtetuese e ligjore për çdo qytetar të kësaj republike”, - është shprehur Rama.
Kriza ekonomike
Më tej kryetari i socialistëve e ka vënë theksin në kushtet e vështira ekonomike që po përjetojnë shumica e shqiptarëve në këtë prag festash të fundvitit. “Sali Berisha u bëri rritje rrogash punonjësve të këtij shteti për t’u marrë votën dhe sot u fut dorën në xhep për t’u marrë më shumë se ç’u dha. Ai i premtoi biznesit të vogël barrën më të ulët fiskale në botë për t’u marrë votën dhe sot po u pret faturën më të lartë në historinë e këtyre 19 vjetëve, pasi u ka marrë votën”, - është shprehur Rama, i cili ka kujtuar se shumica e shqiptarëve jetojnë në skamje dhe se janë shtuar nëpër dyqane listat e borxheve. Rama gjithashtu kundërshtoi rritjen e fundit të çmimit të energjisë elektrike. Ai i propozoi Berishës të marrë në konsideratë rezolutën e PS-së për të dalë nga kriza ekonomike. “Ne do ta bëjmë vitin 2010 vitin e lirisë së votës dhe do të protestojmë pa pushim për largimin e këtij pushteti që votën e lirë e grabit dhe e burgos në kuti të mbyllura forcërisht. Sali Berisha ka humbur të drejtën për ta qeverisur Shqipërinë jo vetëm sepse ka grabitur votat, por edhe sepse ka ndaluar forcërisht hapjen e kutive të votimit ku mban peng ëndrrat, shpresat, të ardhmen e shqiptarëve dhe thellon çdo ditë krizën në ekonominë e tyre”, - është shprehur Rama. Ndërkaq, socialistët do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme turin e protestave, ku do të ndalen në qytetin e Shkodrës dhe të Lezhës.
19 Dhjetor 2009