"Sapo u ndryshua titullari atje, mua më hoqën nga puna"
Largimet dhe rekrutimet e pamotivuara e për arsye politike në administratën publike, problem shqetësues
Arben Muka
Për aktivistët e mbrojtjes së të drejtave të njeriut abuzimi me largimet nga administrata përbën shkelje të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të Kushtetutës shqiptare dhe të ligjit për statusin e nëpunësit civil. Ndërkohë që përfaqësuesit ndërkombëtarë shprehin shqetësimin se ky fenomen çon dëm fonde të shumta, që investohen për të kualifikuar punonjësit e administratës publike. Ardiani është një nga ish-punonjësit e administratës publike që po mbush vitin nga koha kur e larguan nga puna. Me profesionin e ekonomistit ai kishte rreth një dekadë e gjysmë që punonte në njërën prej agjencive kombëtare të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës. Zëvendësimin në detyrë ai e përshkruan si të padrejtë. “Sapo u ndryshua titullari atje, mua më hoqën nga puna, edhe pse isha më i kualifikuar. Në vendin tim erdhi një tjetër, që ishte i pakualifikuar, por këtu vendosen në radhë të parë bindjet politike. Tani që po i afrohem të 50-ave, - thotë ai për DW, - e kam shumë të vështirë të gjej një punë të re”. Aq më tepër kur ai prej kohësh i është përkushtuar kërkimit të së drejtës nëpërmjet gjykatës. “Tani mua më ka mbetur që ta kërkoj vendin e punës vetëm me rrugë gjyqësore. Për këtë më mbron dhe statusi i nëpunësit civil“, - thotë ai.
Largime të motivuara politikisht
Kozara Kati, drejtore e Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut në Tiranë, thotë se fenomeni i largimeve dhe rekrutimeve të dyshimta dhe joprofesionale vazhdon të jetë i mprehtë në Shqipëri. Kati nuk preferon të evidentojë një periudhë të caktuar kohore, pasi sipas saj, të gjitha “ngjyrat” e qeverisjes nuk janë serioze për të ndërtuar një administratë efektive dhe të pandikuar nga politika dhe rotacionet e saj. Ajo përmend mjaft raste ku në Qendrën që drejton janë paraqitur raste flagrante të largimeve të motivuara politikisht. Janë fenomene që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të drejtat njeriut, thotë ajo për DW. “Shkelen të drejtat kushtetuese të njeriut. Unë do të përmendja Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, që sot është e përfshirë në Kushtetutën tonë. Por jo vetëm Konventa dhe Kushtetuta, por dhe vetë ligji për statusin e nëpunësit civil. Nga ana tjetër, një aksion që shpesh ndodh pas rotacioneve politike, natyrisht që ka një impakt negativ në besimin ndaj institucioneve. Por dhe te opinioni i gjerë, te familjet, në komunitet, ku duket qartë se kjo nuk ndihmon aspak në ndërtimin e fuqizimin e institucioneve demokratike”.
Pengesat në rrugën e saj drejt BE-së,
Irene Eidemüller, zëdhënëse në Ambasadën Gjermane në Tiranë, i konsideron largimet dhe rekrutimet në administratën shqiptare si pika që përbëjnë një problem serioz dhe që janë një pengesë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së. “Progres-raporti i fundit i Komisionit Europian për Shqipërinë kritikon faktin se largimet e motivuara politikisht në shërbimin civil në Shqipëri ende vazhdojnë të luajnë një rol të madh. Po kështu dhe procedurat e rekrutimit të nëpunësve shpesh nuk janë transparente. Në muajin prill Shqipëria dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE. Hapi i radhës për Shqipërinë në këtë rrugë do të jetë plotësimi i një pyetësori kompleks. Për këtë Shqipërisë do t'i duhet të informojë Komisionin e BE-së mbi legjislacionin dhe zbatimin e ligjeve. Për t'iu përgjigjur pyetësorit në mënyrë korrekte dhe të bazuar kërkohet një administratë me nëpunës me përvojë, e cila funksionon mirë dhe punon në mënyrë eficiente“, - thotë Irene Eidemüller. Ajo ngre dhe problemin e dëmit që shkaktohet për ato fonde që shpenzohen nga komuniteti ndërkombëtar për kualifikimin e administratës.
“Gjermania, së bashku me partnerë të tjerë të shumtë, investojnë shumë për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Kjo realizohet, ndër të tjera, duke investuar në kualifikimin e kuadrove drejtues shqiptar, p.sh. nëpërmjet bursave, trajnimeve, apo vizitave informative në Gjermani. Por, nëse një person, i cili sapo ka përfituar një kualifikim të vlefshëm, pushohet nga puna, atëherë investimi në trajnimin e tij e humbet vlerën. Kjo nënkupton një shfrytëzim të keq të resurseve jo vetëm për ne si partnerë, por në radhë të parë për Shqipërinë. Edhe nëse trajnimi i një nëpunësi në dukje nuk i ka kushtuar asgjë shtetit shqiptar, sepse p.sh. këto shpenzime janë marrë përsipër nga një partner i huaj, rezultati, pra një kualifikim më i mirë i nëpunësit, njohuritë dhe përvoja e tij janë një kapital tejet vendimtar, që në këtë aspekt duhet të mbahen parasysh. Përmes largimeve të motivuara politikisht të punonjësve harxhohen pa qenë nevoja burime të pakta, që nevojiten në mënyrë të ngutshme. Kjo vlen aq më tepër në një moment në të cilin Shqipëria po përgatitet për integrimin e saj në BE", - deklaron për DW Irene Eidemüller, zëdhënëse në Ambasadën Gjermane në Tiranë. Kozara Kati, drejtore e Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut, thotë se largimet dhe rekrutimet abuzive janë një kosto e jashtëzakonshme për buxhetin e limituar të shtetit shqiptar. “Kur për një post paguhen dy veta. Ai që është larguar dhe ka marrë drejtësi nga gjykata, si dhe ai që është aktualisht në detyrë...".
19 Dhjetor 2009