E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baraj: “Thellohet korrupsioni, motra e Vokshit, pjesë e aferës së korrupsionit”



Partia Socialiste kësaj here i ka zgjeruar akuzat për korrupsion ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi. Deputeti Besnik Baraj deklaroi dje se në vorbullën e korrupsionit është përfshirë edhe motra e deputetes, Mimoza Vokshi, e cila mban postin e drejtoreshës në Ministrinë e Ekonomisë. Baraj tha se motra e deputetes i jepte koncesionet pa tender kompanisë së kunatit, bashkëshortit së Albana Vokshit. Në këto kushte, Baraj i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha të zbardhë firmën e tij mbi katër koncesionet me propozim të ish-këshilltares së tij ekonomike, Albana Vokshi. Prej ditësh, selia rozë ka hedhur akuza për korrupsion mbi ish-këshilltaren ekonomike të kryeministrit Sali Berisha, Albana Vokshi. Partia Socialiste ka zbuluar se kryeministri Sali Berisha i ka falur 4 miliardë dollarë pasuri publike kompanisë së Vokshit, ndërsa ajo e paguan shtetin me një taksë mjaft qesharake. Ndërsa, nga ana tjetër, deputetja Vokshi ka hedhur poshtë akuzat e PS-së duke i cilësuar shpifje. Ajo deklaroi se do t’i drejtohej gjykatës për të çuar në vend dinjitetin e saj.

Deklarata
“Njëra motër këshilltare e Berishës, motra tjetër drejtoreshë e ministrit të Ekonomisë që propozon koncesionet, dhe koncesionet i jepen kunatit. Kjo është skema korruptive e ‘shtetit të motrave’”, - u shpreh Baraj, duke sqaruar se Mimoza Vokshi, në postin e drejtoreshës, sugjeron, Albana Vokshi këshillon dhe Berisha, në karrigen e kryeministrit, firmos për burrin e Albana Vokshit. “Kjo është skema për të përfituar 4 miliardë dollarë pasuri të shqiptarëve. Berisha sot bën mirë të mos heshtë, por të flasë. Firmën e ka vënë ai për këto 4 miliardë dollarë pasuri publike. Berisha sot duhet t’u japë llogari shqiptarëve si i ka firmosur pikët bonus, vetëm e vetëm që burri i Albanës të merrte katër koncesione në naftë dhe gaz, po ashtu edhe dy hidrocentrale”, - shprehet deputeti Baraj.
Apeli
Partia Socialiste i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha të mos heshtë përballë këtij rrjeti korruptiv. “Si shpjegohet heshtja e Berishës kur çdo ditë e më shumë po vërtetohen thyerjet e rekordeve të korrupsionit nga njerëzit e oborrit të tij? Ky rrjet i ndërlidhur ngushtë mes shtresave të pushtetit, biznesit dhe familjes politike të Berishës po i drejton të gjitha hipotezat mbi korrupsionin drejt Kryeministrisë”, - tha Baraj duke shtuar se “bashkautorësia korruptive në rastin Vokshi është e pastër dhe e publikuar. Dyshimet mbeten vetëm se si janë të ndara përfitimet korruptive për atë që hedh firmën, pra mes kryeministrit e motrave Vokshi, si është ndarë në pjesë 4 miliardë pasuri publike?”. Ai tha se Drejtësia është e gjunjëzuar përballë pushtetit të Berishës, dhe kjo është në të keq të vendit. “Shteti i motrave ka detyrimin ligjor të përgjigjet. Nëse sot organet e Drejtësisë janë të sunduara dhe të gjunjëzuara nga ‘shteti i motrave’ e nuk hetojnë e japin llogari për çështjet ‘Vokshi’ e ‘Prifti’, nesër qytetarët shqiptarë të jenë të bindur se çdo koncesion e privatizim korruptiv do të zhbëhet”, - tha Baraj.

Box

Reagimi
Akuzat e vazhdueshme të Partisë Socialiste, deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, në një reagim të disa ditëve më parë i ka cilësuar si shpifje. Ajo i bëri me dije selisë rozë se do t'i drejtohej gjykatës për të vënë në vend dinjitetin e saj. "Mungesa në legjislacionin shqiptar e rubrikës për deklarimin e pasurisë për partnerët bashkëjetues, e ka bërë të pamundur deklarimin nga ana ime të pasurisë së zotit Arian Tartari. Sapo ligji të parashikojë rubrikën përkatëse, unë do të zbatoj me përpikëri kërkesat e tij, ashtu siç kam bërë dhe deri tani", - ka theksuar Vokshi. Ndërsa për sa u përket pretendimeve se Arian Tartari ka përfituar licenca të favorizuara, Vokshi theksoi se Rama duhet të përgjigjet se nëse i ka ndërhyrë ndokush për leje ndërtimi. "Dëshiroj të pyes Edvin Kristaq Ramën a i ka ndërhyrë ndokush për shumë leje ndërtimi që kompanitë me të cilat ka bashkëpunuar Arian Tartari ka marrë nga Bashkia nën drejtimin e tij? Po për licencat e tjera që ai ka përfituar para 2005-s, periudhë në të cilën qeveriste PS-në, kush ka ndërhyrë? Arian Tartari ka i filluar bizneset e tij që në vitin 1990 dhe ka punuar pa ndërprerje dhe me korrektesën më të madhe, pavarësisht se cila parti ka qeverisur", - ka theksuar më tej Vokshi.

Box

Akuzat
Partia Socialiste, ditë më parë ka akuzuar ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, se është i përfshirë në afera korruptive. PS-ja ka kërkuar që Prokuroria të vihet në lëvizje për të hetuar pasuritë e tij të padeklaruara. Socialistët i kanë kërkuar Priftit të japë llogari për pasurimin e tij brenda një viti me 2 miliardë e gjysmë lekë, i cili është shprehur se i ka fituar ato para nga shitja e aksioneve në kompaninë farmaceutike “Megafarma”. Ndërkaq, PS-ja është ndalur edhe në aferat korrupive të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, ku nuk mbetet i paimplikuar sërish edhe ministri Prifti. Ka qenë deputeti socialist Eduard Shalsi që deklaroi se të dy ministrat kanë nxjerrë në proces privatizimi Fushën e Aviacionit. Ndërkohë që, nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha gjatë fushatës elektorale pati premtuar se do ta shndërronte atë në park publik.
Partia Socialiste ka depozituar pranë Prokurorisë jo pak, por nëntë padi ndaj ministrave dhe deputetëve të Partisë Demokratike. Shumica e padive përmbajnë akuzën e shpifjes ndaj deputetëve demokratë, ndërsa ministri i Ekonomisë, Prifti, akuzohet për korrupsion. Sipas PS-së, kanë shpifur dhe akuzuar padrejtësisht kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të paditurit Sali Berisha, Sokol Olldashi, Aldo Bumçi, Ferdinand Poni, Gerti Bogdani, Florion Mima, Lajla Pernaska, Erla Mëhilli dhe Dritan Prifti.

11 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›