E Diel, 1 Nëntor 2026

Koalicioni opozitar, në periudhë pushimi, “harron” krizën politike dhe reformën zgjedhore



Partitë e vogla opozitare, në këtë periudhë të nxehtë vere, duket se kanë “harruar” transparencën e zgjedhjeve dhe reformën zgjedhore. Pesë partitë e koalicionit opozitar nuk kanë dhënë deklarata mbi këto dy çështje. Partia Demokracia Sociale, e kryesuar nga Paskal Milo, Partia Social Demokrate, e kryesuar nga Skënder Gjinushi, Partia Ligj dhe Drejtësi, e kryesuar nga Spartak Ngjela, Partia për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut, e kryesuar nga Vangjel Dule dhe G99-a, e kryesuar nga Erion Veliaj, kanë qenë shumë aktive gjatë periudhës së protestave për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit të vitit 2009. Përpos transparencës së zgjedhjeve si e vetmja mënyrë për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga tradita e manipulimit të zgjedhjeve, krerët e partive të vogla opozitare, të pakënaqur nga ky Kod Zgjedhor, kanë qenë mjaft aktivë për të bërë sa më shpejt ndryshimet në të. Gjatë kësaj periudhe të nxehtë vere, vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim i ka shtuar thirrjet për ngritjen e një tryeze të rrumbullakët gjithëpërfshirëse për të bërë ndryshimet në Kodin aktual Zgjedhor. Edhe ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, u ka bërë thirrje dy partive të mëdha politike të nisin përgatitjet për reformën zgjedhore.
Transparenca
Përgjatë një viti, kryefjala e Partisë Socialiste ka qenë transparenca e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit të vitit të kaluar. E mbështetur nga koalicioni i saj opozitar, Partia Socialiste përgjatë një viti ndërmori dy aksione politike; atë të protestave dhe bojkotit të Parlamentit. Megjithatë, sërish opozita mbetet e vendosur në hetimin e zgjedhjeve të kaluara. Opsioni i protestave dhe marrëdhëniet e kushtëzuara me Parlamentin do të rikthehen sërish në skenë nga opozita nëse maxhoranca nuk do të shprehë vullnetin e saj për transparencën e zgjedhjeve të kaluara. Mendohet se muaji shtator do të jetë i fokusuar sërish te negociatat dhe, në tetor, nëse nuk ka rezultat, do të dilet në rrugë. Protestat, ashtu si dhe në muajt e shkuar, do të koordinohen me qarqe të ndryshme për të pasur sa më shumë jehonë në të gjithë vendin. Nëse nuk do të ketë rezultat për transparencën, PS-ja do të jetë në Kuvend gjatë zhvillimeve të seancave, por në asnjë mënyrë nuk do të japë konsensus për të miratuar ndonjë ligj.
Reforma zgjedhore
Përveç kësaj periudhe verore, partitë e vogla, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim, kanë qenë më të interesuarat që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të bëhen sa më shpejt, edhe para datës së zgjedhjeve vendore. Partitë e pakënaqura janë shprehur edhe më parë se Kodi Zgjedhor solli zhdukjen e partive të vogla në Parlamentin e Shqipërisë dhe, sipas tyre, kjo u arrit në sajë të marrëveshjes mes Berishës dhe Ramës.
Disa ditë më parë, përfaqësuesit e partive të vogla kërkuan që ndryshimet e radhës në Kodin Zgjedhor të bëhen me mbështetjen e shoqërisë civile dhe të gjitha partive politike.
Ndryshimet për Kodin Zgjedhor duket se do të mbajnë peng zgjedhjet vendore. Këto ndryshime duhen të bëhen përpara datës së zgjedhjeve, e cila do të caktohet në muajin shtator.

Hetimi i zgjedhjeve të vitit të kaluar

Nëse maxhoranca nuk do të shprehë vullnetin e saj për transparencën e zgjedhjeve të kaluara, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka paralajmëruar një aksion më të madh politik në muajin shtator, duke risjellë si opsion zhvillimin e protestave.
Ai i ka porositur gazetarët që të pushojnë sa më mirë se në shtator do të ketë shumë punë.
Lideri i opozitës vlerësoi se, pa dyshim, protestat janë pjesë e rrugës së tyre opozitare.
"Në këto kushte ne na takon të jemi zëri i të vërtetave të thjeshta e pa dyshim të jemi zëri i protestës. Protestat janë pjesë e rrugës sonë opozitare në kushtet kur jetojmë në një Shqipëri, ku jo vetëm janë vjedhur zgjedhjet, por përditë e më shumë vidhet pasuria e përbashkët", - është shprehur kreu i opozitës. Megjithatë, edhe në këto ditë të nxehta vere negociatat për zgjidhjen e krizës politike mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike vazhdojnë. PS-ja ka shprehur gatishmërinë e saj për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor. Ajo akuzon maxhorancën se nuk ka vullnet të zbatojë Rezolutën e Parlamentit Europian. PS-ja ka bërë me dije se kreu i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi, i ka depozituar kreut të Grupit Parlamentar të demokratëve, Astrit Patozi, opsione të reja konkrete për zgjidhjen e krizës politike.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, ditë më parë u ka bërë thirrje forcave politike të bashkëpunojnë për ndryshimet në reformën zgjedhore. Si nismëtar i “Aksionit qytetar për reformën zgjedhore”, Kume i ka ftuar të gjitha organizatat e interesuara, grupe qytetare, akademikë, specialistë në fushën e legjislacionit zgjedhor, të bëhen bashkë për të qenë aktorë në reformën zgjedhore. “Ne mendojmë se reforma zgjedhore duhet domosdoshmërisht të konsiderohet dhe të zhvillohet si një proces politiko-legjislativ që duhet të karakterizohet nga gjithëpërfshirja”, - theksoi Kume, duke shtuar se “ne e mirëkuptojmë esencën politike të deklaratës së kreut të maxhorancës, i cili i bën thirrje opozitës të hartoje draftin e amendimeve për ndryshimet në legjislacionin zgjedhor, të cilat maxhoranca është e gatshme t`i pranojë, por nuk mund ta miratojmë atë, si rruga që duhet ndjekur për reformën zgjedhore të radhës”. Sipas tij, përvojat në proceset e kaluara zgjedhore tregojnë se suksesi i zgjedhjeve në vendin tonë, në radhë të parë varet nga niveli i shprehjes së vullnetit të klasës politike jo vetëm për hartimin e një kuadri ligjor në përputhje me standardet dhe në plotësim të parimeve bazë të trashëgimisë zgjedhore europiane, por më shumë se kaq, në respektimin dhe zbatimin e plotë të tyre.

11 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›