Nishani premton rritjen e fondit për kompensimin e pronarëve në fund të vitit
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, gjatë një takimi që zhvilloi dje me drejtues të Agjencisë së Pronave, premtoi se në fund të këtij viti qeveria do të rritë fondin për kompensimin e pronarëve, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje. Aktualisht fondi i akorduar nga qeveria për kompensimin e 350 pronarëve është 1.5 miliardë lekë. Agjencia e Pronave bëri publik pak kohë më parë njoftimin se ka nisur procesi i pranimit të kërkesave për kompensim financiar. Ky proces, në bazë të njoftimit të AKKP-së, përfundon në datën 12 gusht. Të gjithë pronarët që kërkojnë të përfitojnë kompensim financiar për tokën e zënë nga ndërtimet pa leje, në bazë të njoftimit të AKKP-së, duhet të nxitojnë të bëjnë kërkesë për kompensim pranë zyrave qendrore të AKKP-së. Nga ana tjetër, ministri Nishani premtoi se procesi i kompensimit të pronarëve do të ecë paralelisht me procesin e legalizimit të ndërtimeve informale.
Qëndrimi
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, gjatë takimit me drejtues të AKKP-së, konfirmoi se qeveria deri në fund të vitit do të akordojë një tjetër fond kompensimi për ish-pronarët. “Procesi është duke ecur paralelisht. Pra, vendimet e qeverisë reflektojnë vendimin e ALUIZNI-t për legalizimin e pronës që është ndërtuar në zonë informale, dhe njëkohësisht në po të njëjtin vendim parashikohet vendimi për kompensimin financiar të pronarit që shpronësohet nga legalizimi i kësaj prone. Kjo është çështja për të cilën ne diskutuam sot. Kjo është çështja për të cilën iu referova faktit që qeveria, pikërisht për kompensimin e këtyre, rreth 350 subjekteve të identifikuara deri tani, ka vënë në dispozicion një fond prej 1.5 miliardë lekësh, fond i cili do të shtohet besoj dhe me një shumë tjetër të konsiderueshme deri në fund të vitit. Do të merren masa ligjore, pra amendime dhe ndërhyrje të mundshme në legjislacion; përmenda dhe masat administrative që kanë të bëjnë pikërisht me krijimin e mekanizmave efektive të brendshme për trajtimin e çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave, dhe natyrisht me masat buxhetore, të cilat mbështesin në fund të fundit të gjitha këto masa të mësipërme që unë përmenda”, - tha Bujar Nishani. Ministri i Drejtësisë konfirmoi se aktualisht procesi po ecën paralelisht, vendimet e qeverisë për legalizimin e pronave informale po shoqërohen me vendimet për shpërblimin e pronareve të shpronësuar në këto sipërfaqe. Ai garantoi kompensim financiar për të gjithë pronarët, si dhe bashkëpunimin me të gjitha institucionet shtetërore të interesuara për administrimin e pronës.
Agjencia
Agjencia e Pronave ka njoftuar pak kohë më parë se ka nisur procesin e pranimit të kërkesave për kompensim financiar për këstin e parë për të gjitha ata pronarë që tokat i janë zënë nga ndërtimet informale që në datën 12 korrik 2010, ndërkohë që procesi sipas njoftimit të Agjencisë zgjat vetëm 30 ditë kalendarike. Kjo do të thotë se procesi pritet të mbyllet në datën 12 gusht, ndaj dhe të gjithë të interesuarit duhet të nxitojnë të plotësojnë kërkesën dhe ta depozitojnë atë pranë zyrës qendrore të Agjencisë së Pronave. Në sajtin zyrtar në internet, Agjencia e Pronave ka publikuar një formular që duhet plotësuar nga pronarët që janë të interesuar të përfitojnë nga procesi i kompensimit financiar. Formulari përmban: emrin, atësinë dhe mbiemrin e subjektit përfitues të kompensimit. Po kështu është parashikuar që subjekti përfitues, në rast pamundësie, mund të bëjë kërkesë nëpërmjet një përfaqësuesi, i cili është i pajisur me prokurë. Edhe ky duhet të bëjë publike gjeneralitetet e tij, emrin, atësinë mbiemrin dhe adresën e banimit. Sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë, Drejtoria e Kompensimit të Pronave tashmë ka përcaktuar dokumentet që duhet të dorëzojnë aplikuesit, si dhe procedurat që do të ndiqen. Në njoftimin zyrtar thuhet se pas vendimit të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informate”, Agjencia ka vendosur si afatin e fundit për dorëzimin e kërkesës 12 gushtin. Me këtë rast, AKKP-ja fton të gjitha subjektet e interesuara, emrat e të cilave janë miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, të paraqiten pranë zyrave për dorëzimin e kërkesës për kompensim. Të gjitha subjektet e interesuara duhet të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me adresë: rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr.54, Tiranë.
Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2000 (dy mijë) lekë pranë zyrës së financës së AKKP-së, si dhe të hapin në emër të tyre një llogari bankare në një nga bankat e nivelit të dytë. Në bazë të vendimit të qeverisë, Agjencia e Pronave, në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, njofton publikisht listën e personave që përfitojnë nga fondi i kompensimit të pronave për periudhën përkatëse. Në njoftimin publik duhet të përcaktohen: gjeneralitetet e përfituesit; periudha kohore e paraqitjes së kërkesës; dokumentacioni i nevojshëm shoqërues i kërkesës; vlera e tarifës së shërbimit; si dhe detyrimi për subjektet përfituese për të hapur, në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë. Procesi i regjistrimit dhe i pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së njoftimit publik dhe vazhdon për 30 ditë. Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së ngrihet grupi i punës për pranimin e shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale dhe shpërndarjen e fondit përkatës. Në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Kompensimi bëhet në masën e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, ku parashikohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale.
Dokumentet
Në bazë të vendimit të qeverisë, subjekti apo përfaqësuesi me prokurë i tij, brenda afatit të përcaktuar në njoftimin publik, paraqet pranë zyrës së AKKP-së dokumentacionin e mëposhtëm: kërkesën për kompensimin e pronës sipas formatit tip, bashkëlidhur këtij vendimi; dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi trashëgimie; prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre; vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të transferohet vlera financiare e përfituar; fotokopjen e dokumentit të identifikimit, si dhe certifikatën familjare të kërkuesit; mandatpagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit.
Dje nisi procesi i legalizimit të ndërtimeve informale në zonat turistike
Agjencia e Legalizimit të Zonave Informale ka pranuar dje kërkesat e para nga personat e interesuar për privatizimin e truallit të ndërtimeve të tyre në zonat turistike. Të gjithë personat e interesuar për të hipotekuar ndërtimet e tyre në zonat turistike duhet të plotësojnë kërkesën në bazë të formularit të bërë publik nga ALUIZNI dhe ta dorëzojnë atë pranë Drejtorisë qendrore të Agjencisë. “ALUIZNI njofton personat e interesuar, se prej datës 10 gusht 2010 nis procedura e plotësimit të kërkesës për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin e njësive të ndërtuara në zonat e stimuluara me përparësi turizmin në përputhje me Ligjin Nr. 10186, datë 5.11.2009. Kërkesat paraqiten pranë Drejtorisë qendrore të ALUIZNI-t brenda 60 ditëve nga nisja e procedurës”, - është shprehur koordinatorja ligjore pranë ALUIZNI-t, Jeta Velaj, pak ditë më parë. Ajo ka bërë të ditur kategoritë e personave që do të përfitojnë nga privatizimi i truallit. “Kanë të drejtë të paraqesin kërkesë subjektet e interesuar, personat fizikë apo juridikë, të cilët gëzojnë njësinë e ndërtuar dhe që kanë kryer një veprim juridik të drejtpërdrejtë, ose të rrjedhur, me personin e stimuluar për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar të ngritur brenda zonës së stimuluar. Personat e stimuluar, personat fizikë apo juridikë që kanë lidhur marrëveshje qiraje me qiradhënësin apo autoritetin shtetëror”, - ka theksuar Velaj. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, janë rreth 23.5 hektarë toka në bregdet, në të cilat janë ngritur fshatra turistike nga kompani private të licencuara nga qeveritë shqiptare të asaj kohe. Ligji sanksiononte se vilat e ndërtuara në këto fshatra nuk mund të shiteshin, por do të përdoreshin vetëm për qëllime turistike. Por, kjo pikë e ligjit është shkelur, pasi shumë nga vilat janë shitur. Sakaq, opozita thotë se blerësit e tyre janë kryesisht ministrat dhe funksionarët e lartë të shtetit. ALUIZNI, përmes këtij drafti, u jep të drejtën atyre që i kanë blerë vilat që të privatizojnë edhe truallin mbi të cilin ato janë ndërtuar, me një çmim të fiksuar.
Dokumentacioni që paraqitet nga subjekti i interesuar
Kontrata e lidhur me personin e stimuluar, për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi njësinë e ndërtuar.
Planimetria dhe sipërfaqja e njësisë së ndërtuar.
Dokument pronësie për njësinë e ndërtuar (nëse disponojnë).
Kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar.
Dokumentacioni që paraqitet nga personi i stimuluar.
Marrëveshja e qirasë apo e zhvillimit.
Leja e ndërtimit për njësinë e ndërtuar.
Planimetria dhe sipërfaqja në m² për njësinë e ndërtuar.
Dokumente pronësie për njësinë e ndërtuar (nëse disponojnë).
Kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar.
11 Gusht 2010