E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, në shtator pritet rrëzimi i kërkesës për referendum



Komisioni Qendror Zgjedhor pritet të rrëzojë kërkesën e 14 qytetarëve për mbajtjen e një referendumi për rinumërimin e fletëve të votimit brenda muajit shtator. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ka bërë të ditur se mbledhja e parë e KQZ-së do të zhvillohet në muajin shtator, por, sipas tij, kërkesa e qytetarëve ka pasaktësi dhe nuk ka argumente ligjore. Ndaj dhe për këtë arsye kjo kërkesë pritet që të rrëzohet që në mbledhjen e parë të Komisionit Qendror Zgjedhor. Në nenet 150 dhe 151 të Kushtetutës është parashikuar kërkesa për mbajtjen e një referendumi dhe mënyra e shqyrtimit të tij. Në bazë të Kushtetutës, kërkesa për referendum bëhet nga 50 mijë qytetarë që kërkesën e tyre duhet t’ia drejtojnë Presidentit të Republikës, dhe jo Komisionit Qendror Zgjedhor.
Vetëm një ditë më parë BBC-ja publikoi lajmin për kërkesën e bërë nga qytetarët për mbajtjen e një referendumi për rinumërimin e votave. Çështja e rinumërimit të votave ka qenë kauza e Partisë Socialiste gjatë këtij viti dhe kërkesa kryesore e opozitës për të bashkëpunuar me maxhorancën për ligjet kryesore në Kuvend.
Kërkesa
Një grup qytetarësh në Tiranë paraqitën një ditë më parë në KQZ një kërkesë për organizimin e një referendumi ku qytetarët të ftohen për të votuar nëse duan të rinumërohen apo jo fletët e votimit të zgjedhjeve të kaluara. Në kërkesën e tyre drejtuar KQZ-së, firmëtarët shtrojnë tri pyetje që qytetarët në referendum duhet t’i përgjigjen me po ose jo. Këto pyetje janë: A duhet të rinumërohen fletët e votimit të zgjedhjeve parlamentare të 2009-s? A duhet rinumërimi të bëhet nga shoqëria civile?
A duhet që rinumërimi të bëhet nga KQZ-ja?
Andi Gjoliku, një nga nismëtarët e kërkesës për referendum, tha se ka ardhur koha që vetë shtetasit të vendosin për fatin e votës dhe se kërkesa e tyre rrjedh nga e drejta që u jep Kushtetuta. Grupi i qytetarëve është në pritje të përgjigjes që duhet t’i japë KQZ-ja, e cila, sipas ligjit, duhet ta bëjë këtë gjë brenda 20 ditësh. Andi Gjoliku i tha BBC-së se dhunimi i së drejtës për të vetëvendosur përmes referendumit do të pengonte ëndrrën europiane.
Ndërkaq, Presidenti i Republikës duhet të shpallë brenda 8 shtatorit datën e zgjedhjeve të reja lokale të vitit 2011. Sipas ligjit, pas kësaj fletët e votimit të zgjedhjeve të mëparshme asgjësohen. Çështja e fletëve të votimit vazhdon të jetë kërkesë themelore e PS-së dhe e papranueshme nga PD-ja, gjë që ka sjellë mosarritjen e marrëveshjes mes shumicës dhe opozitës për kapërcimin e krizës politike në marrëdhëniet mes tyre. Opozita kërkon që transparenca e zgjedhjeve të kaluara të shtrihet deri te fletët e votimit, të cilat, sipas saj, komisioni hetimor parlamentar duhet t’i rinumërojë sa herë materiali zgjedhor nuk e plotëson transparencën. Por, shumica këmbëngul në qëndrimin e saj se kjo çështje duhet të zgjidhet vetëm në përputhje me ligjin i cili parashikon djegien e fletëve të votimit.
Kushtetuta
Sipas nenit 150, “populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë”.
Kushtetuta parashikon që “çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum. Referendumi për të njëjtën çështje nuk mund të përsëritet përpara se të kenë kaluar tre vjet nga zhvillimi i tij”. Në nenin 152 të Kushtetutës parashikohet mënyra e shqyrtimit të kërkesës për referendum. “Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum sipas nenit 150 paragrafët 1 e 2, nenit 151 paragrafët 2 e 3 edhe sipas nenit 177, paragrafët 4 e 5, brenda 60 ditëve. Rëndësia e çështjeve të veçanta, të parashikuara në nenin 150, paragrafët 1 e 2, nuk është objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese. Data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese ose pas kalimit të afatit brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shprehej. Gjatë vitit referendumet zhvillohen vetëm në një ditë”, - shkruhet në Kushtetutë.

Qëndrimi
Berisha: “Nuk ka negociata për kutitë e fletëve të votimit”

Gjatë një konference për shtyp të zhvilluar dje nga kalaja e Himarës, kryeministri Berisha u shpreh në mënyrë të prerë se maxhoranca që ai drejton nuk do të zhvillojë negociata për hapjen e kutive të votimit dhe për kërkesën e Partisë Socialiste për rinumërimin e fletëve të votimit. Berisha u shpreh i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën në frymën e Rezolutës së Parlamentit Europian që parashikon hetimin e materialeve zgjedhor, dhe jo të fletëve të votimit. Kreu i Ekzekutivit përsëriti qëndrimin e kahershëm të maxhorancës, se kërkesa e Partisë Socialiste për rinumërimin e votave bie në kundërshtim më Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Ka një rezolutë të Parlamentit Europian. Unë mbetem për zbatimin e saj germë për germë dhe në frymën e saj totale. Rezoluta përcakton qartë se çfarë duhet të hetohet dhe unë i qëndroj plotësisht asaj, i qëndroj plotësisht ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Shqipëria nuk mund të bëhet dhe zhbëhet. Shqipëria bëhet vetëm duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e saj dhe duke i përmirësuar ato, jo duke i shkelur. Mendoj se Rezoluta ka përcaktuar qartësisht hetimin e materialeve të votimit dhe nëse e keni ndjekur, ju duhet ta dini, ka pasur ndonjë deputet të thekur të majtë që kërkoi më shumë, por 547 deputetë europianë votuan për materialet e votimit, të cilat nuk përfshijnë fletët e votimit. Të gjitha të tjerat, çka është në kuadrin ligjor, çka është në kuadrin kushtetues, qëndroj plotësisht i vendosur të bashkëpunoj me opozitën”, - është shprehur kryeministri Berisha.

Ish-kreu i KQZ-së, Kume
“Fletët mund të asgjësohen edhe një muaj para zgjedhjeve”

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, pak ditë më parë i bëri apel KQZ-së të mos bëhet pjesë e lojës politike duke djegur fletët e votimit. Sipas tij, djegia e fletëve të votimit është problemi i fundit që ky institucion mund të ketë gjatë përgatitjes për garën elektorale të 2011-s. Kume mendon se kjo procedurë mund të realizohet edhe një muaj para datës së zgjedhjeve. “Edhe pas dekretimit të zgjedhjeve KQZ-ja të mos bëhet target i politikës, le të presë që klasa politike ta zgjidhë problemin. Pra, të veprohet me materialet zgjedhore dhe me kutitë e zgjedhjeve vetëm si produkt i konsensusit, dhe jo zbatim formal i këtij ligji. Është e fundit pengesë boshatisja e kutive”, - tha Kume.
Duke komentuar zhvillimet e deritanishme politike, ish-kreu i KQZ-së mendon se politika e ka marrë me nge këtë proces, duke rrezikuar të përsëritë gabimet e zgjedhjeve të 2007-s, kur ish-presidentit Alfred Moisiu iu desh të ridekretonte datën e zgjedhjeve për shkak të shkeljeve të afateve nga partitë. “Kjo e vështirëson akoma më tej punën që duhet bërë, i ngushton akoma më tej mundësitë për rezultate të mira paraprake. Duhet të reflektohet nga politikëbërësit dhe klasa politike, nga institucionet përgjegjëse, të cilat kanë detyrimin për të përgatitur dhe zhvilluar zgjedhjet e ardhshme, për të mos realizuar punët në ekstremet ligjore të lejuara”, - është shprehur Kume.

11 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›