E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Qeveria nuk do të hartojë asnjë ligj për Presidentin”



Kryeministri Berisha, ndryshe nga qëndrimi i deputetëve të Partisë Demokratike, është shprehur dje se qeveria nuk do të hartojë asnjë ligj për Presidentin, pasi kompetencat e tij janë të mirëpërcaktuara në Kushtetutë dhe se Kushtetuta prevalon mbi çdo ligj tjetër. Këtë deklaratë, kreu i qeverisë e bëri dje gjatë një konference për shtyp të dhënë në kalanë e Himarës, ku prej disa ditësh po kalon pushimet verore në rezidencën qeveritare në Dhërmi.
Ideja për hartimin e një ligji për institucionin e Presidentit të Republikës është hedhur pak ditë më parë nga deputetë të Partisë Demokratike dhe është mbështetur nga deputetë dhe nga kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Sipas nismëtarëve, hartimi i një ligji organik për Presidentin është detyrim kushtetues. Ky ligj, sipas tyre, do të përcaktojë afate të qarta kohore për dekretimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë nga Presidenti i Republikës. Ideja për hartimin e këtij projektligji lindi në kulmin e debatit mes PD-së dhe Presidentit për mosdekretimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Qëndrimi
Por, ndryshe nga deputetët demokratë, kreu i qeverisë, për të treguar se kjo është një nismë e ndërmarrë nga ligjvënësit dhe që nuk ka lidhje me qeverinë, u shpreh se Presidenti i ka kompetencat të mirëpërcaktuara në Kushtetutë dhe se nuk ka nevojë për ligj organik. “Unë mendoj se ligji themelor i vendit i ka të përcaktuara të gjitha kompetencat, të drejtat e Presidentit të Republikës, dhe i ka shumë mirë të përcaktuara. A mund të ketë ligj për Presidencën? Shumica e vendeve e kanë. Por, nga ana tjetër, dua të theksoj se detyrimet kushtetuese janë më eprore se të gjitha detyrimet e tjera ligjore. Pra, në qoftë se Parlamenti funksion mbi bazën e një ligji, sepse ka një veprimtari të përditshme, të gjerë, të shumëllojtë, Presidenti funksionon mbi bazën e përcaktimeve kushtetuese. Zbatimi i tyre me korrektesë është ligji më i mirë për Presidencën e vendit. Unë, natyrisht, ndjek me interes iniciativat e deputetëve. Qeveria vetë nuk ka ndër mend të marrë ndonjë nismë që të bëjë ligjin për Presidencën. Kemi axhenda të tjera. Deputetë, po të duan, mund ta bëjnë”, - është shprehur Berisha. Vetëm pak ditë më parë, zëvendësi i Berishës, ministri Meta, u shpreh në mbështetje të projektligjit për Presidentin. I pyetur për hartimin e një ligji organik për Presidentin, Meta tha se “sipas Kushtetutës, çdo institucion kushtetues duhet të ketë ligjin përkatës organik, dhe në këtë drejtim unë nuk besoj se mund të hartohet një ligj organik për të cenuar kompetencat kushtetuese të një institucioni tjetër, pra nga ana e Kuvendit. Çdo ligj organik duhet bërë me frymë bashkëpunimi dhe, së dyti, ky ligj organik duhet të synojë respektimin e Kushtetutës dhe kompetencat kushtetuese të çdo institucioni”, - është shprehur numri dy i qeverisë. Propozimi për hartimin e një ligji organik së fundi është hedhur nga deputetët e PD-së, të cilët synojnë të përcaktojnë afate të qarta kohore për Presidentin për dekretimin e anëtarëve të institucioneve të pavarura kushtetuese. Ky propozim i PD-së nuk është mbështetur nga PS-ja, të cilët, nga ana e tyre kanë propozuar hartimin e një ligji organik për Kuvendin.
Axhenda
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Berisha ka komentuar dhe zhvillimet e pritshme politike në muajin shtator duke u shprehur se ky do të jetë një muaj i bardhë për Shqipërinë pasi pritet vendimi për liberalizimin e vizave. “Mendoj se vjeshta do të jetë një nga vjeshtat më të bardha, më të bukura në historinë e shqiptarëve. Shqiptarët do të gëzojnë vendimin e Bashkimit Europian për të lëvizur të lirë në mbarë Europën. Dua të theksoj se kjo përbën një arritje të pritur, ndofta mbi 150 vjet. Këtë, qytetarët e këtij vendi e kanë pritur prej kohësh. Këtë vjeshtë, ky problem merr përgjigjen më të shkëlqyer dhe unë gjykoj se nuk ka arritje më të madhe në rrafshin e lirisë, pas përmbysjes së diktaturës, sesa kjo. Liria e lëvizjes së shqiptarëve nuk kufizohet më vetëm në territorin e këtij vendi, por ridimensionohet në të gjithë territorin europian. Kjo do të jetë vjeshta për shqiptarët”, - është shprehur Berisha.
I pyetur për zgjedhjet e ardhshme vendore, kreu i qeverisë u shpreh se në këto zgjedhje do të marrë pjesë në koalicion dhe është i hapur për të shqyrtuar propozimet e çdo partie politike, pavarësisht spektrit politik që i përket.
“Unë dua t’ju garantoj se jo vetëm në këto zgjedhje, por, në qoftë se merr në tërësi praktikën time, janë koalicionet dhe gjerësia ndaj kërkesave të partive të vogla. Kështu që, unë mbetem plotësisht i hapur dhe i dëgjoj me shumë vëmendje ato, të të gjithë spektrit, të majta, të djathta. Ato janë pjesë e realitetit shqiptar dhe unë nuk mohoj realitetin”, - është shprehur kryeministri Berisha.

Reagimi
Hysi: “Berisha të heqë dorë nga djegia e fletëve të votimit”

Partia Socialiste ka reaguar menjëherë pas deklaratave të kryeministrit Berisha në Himarë, duke theksuar se kryeministri ka pranuar domosdoshmërinë e hapjes së kutive.
Në një deklaratë për shtyp, nënkryetarja e Grupit socialist, Vasilika Hysi, ka theksuar se hapja e kutive dhe hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit ka rënë në vesh të shurdhër. “Sigurisht që u desh plot një vit që kryeministri të kuptonte rëndësinë dhe legjitimitetin e kërkesës së opozitës, kërkesë e cila muaj pas muaji gjeti gjithmonë e më shumë mbështetjen e partnerëve dhe faktorit ndërkombëtar. Por, më mirë vonë se kurrë”, - theksoi Hysi. Më tej Hysi ka theksuar se është tejet e rëndësishme që jo vetëm të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 2009-s, por që Sali Berisha, pas pranimit të kërkesës për hapjen e kutive, të heqë dorë nga ideja qesharake për të djegur fletët e votimit.

Berisha në Himarë: “Numri i turistëve është rritur 10 herë në krahasim me vitin 2004”

Kryeministri Berisha vizitoi dje kalanë e Himarës, një ndër kalatë më të vjetra në vend. Me një fond prej 1 milion eurosh të Komisionit Europian dhe të qeverisë shqiptare, në kala po investohet për ndërtimin e sistemit të kanalizimeve, rregullimin e rrugicave të kalldrëmit dhe sistemin e ndriçimit. Gjatë fjalës së tij për mediat Berisha u shpreh se në një kohë të shkurtër turizmi është bërë ndër degët më kryesore të ekonomisë. “Sot, të ardhurat nga turizmi janë të ardhurat më të mëdha dhe që i shkojnë numrit më të madh të qytetarëve të këtij vendi. Gjatë vitit që kaloi dhe këtij viti, të marra së bashku, turizmi u rrit me 60 për qind, ndërsa nga viti 2004 gjer në fund të vitit 2009 u rrit 10 herë. Nga 300 mijë vizitorë që Shqipëria pati në vitin 2004, arriti në 3 milionë në vitin 2009, por ky numër po rritet me shpejtësi këtë vit. Për këtë mjafton t’ju jap një të dhënë. Nga data 31 korrik deri më 8 gusht në Shqipëri hynë 430 mijë vizitorë, ose rreth 35 për qind më shumë sesa në vitin 2004. Vetëm tunelin e rrugës Durrës-Morinë, këto 9 ditë e kanë kaluar, në të dyja drejtimet, 15 mijë qytetarë më shumë se gjatë gjithë gushtit të kaluar. Statistika që unë mora sot dëshmojnë se nga 31 korriku gjer sot kanë kaluar 408 mijë qytetarë, kundrejt 392 mijë që kanë kaluar vjet, nga 31 korriku gjer më 30 gusht. Pra, ka një rritje të papërmbajtur, e cila ka edhe arsyet e veta”, - është shprehur Berisha duke përmendur përmirësimin e infrastrukturës rrugore si arsyeja kryesore e zhvillimit të turizmit. “Së pari, një infrastrukturë moderne dhe investime të mëdha në mbarë vendin. Ne kemi shumëfishuar investimet në zonat turistike me dhjetëra e dhjetëra herë, por dua të theksoj se investimi më i madh i bërë në historinë e këtij vendi, Rruga e Kombit, është shndërruar gjithashtu në një levë Arkimedi për turizmin shqiptar. Kjo rrugë po rrit me shpejtësi marramendëse fluksin turistik në të gjithë Ultësirën bregdetare dhe bregun e Jonit. Ne jemi të vendosur të kompletojmë me shpejtësinë më të madhe, të gjithë infrastrukturën e Ultësirës bregdetare dhe bregut të Jonit. Sikundër mbetemi të vendosur të adaptojmë duke filluar nga viti që vjen, një politikë shumë më agresive, më aktive në drejtim të infrastrukturës së maleve të vendit, të cilat kanë gjithashtu bukuri mahnitëse”, - është shprehur Berisha, ndërsa u shpreh se simbolika e zgjedhjes së kalasë së Himarës për mbajtjen e konferencës për mediat lidhet me lashtësinë e kësaj kalaje. “Kjo është një nga kështjellat më të vjetra të vendit, me fillime në shekullin IV para krishterimit, e cila ka shërbyer në shekuj e mijëvjeçarë si një mburojë e pamposhtur e kombit shqiptar. Kujtoj këtu se pas rënies së Krujës, Gjon Kastrioti, djali i Skënderbeut, vendosi të bëjë mbrojtjen e trevave shqiptare nga kjo kështjellë”, - është shprehur kreu i qeverisë.

11 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›