Barak Obama kryeson garën presidenciale

Uashington, 15 Tetor, 10.02, NOA - Kandidatët për president Xhon Mekein dhe Barak Obama po përgatiten sot për debatin e tyre të tretë dhe të fundit, ndërsa anketimet tregojnë se Obama kryeson garën ndaj rivalit të tij.
Një anketim i zhvilluar nga gazeta Nju Jork Times dhe televizionin CBS i publikuar dje tregon se Obama kishte mbështetjen e 53 për qind të të anketuarve, ndërsa zoti Mekein mbështetej nga 39 për qind e tyre.
Një tjetër anketim i gazetës Los Anxhelos Times dhe televizionit Blumberg, tregon se mes 1 mijë e 500 vetëve të përfshirë në anketim, 50 për qind mbështesnin Obama dhe 41 për qind zotin Mekein.
Ndërsa një anketim i zhvilluar nga gazeta Washington Post dhe televizioni ABC News tregon se mbështetja për Obama është rritur në mënyrë dramatike në 4 shtete tepër të rëndësishme të fushatës, Minesota, Kolorado, Miçigan dhe Wisconsin.
Anketimet zakonisht mund të gabojnë deri në 3 për qind. Të anketuarit fajësojnë krizën ekonomike për rënien e mbështetjes ndaj Mekein.
INA/NOA