Një qytetar masakrohet në mes të rrugës, lufton me vdekjen në spital
Viktima është G.T., 33 vjeç, lindur e banues në lagjen nr 7 të qytetit të Durrësit, kurse autor i dyshuar i krimit, 22-vjeçari Hektor Luga, një djalë i martuar, nga i njëjti vendbanim.
Ngjarja ka ndodhur në orën 00.15 të ditës së sotme kurse arrestimi i të dyshuarit në mbrëmje në orën 20.00.
Policia tha se ngjarja ka ndodhur në afërsi të banesës së 33-vjeçarit G.T. Viktima po shkonte në shtëpi kur është përballur me dhunën e egër.
Ende nuk janë të qarta motivet e ngjarjes, por ajo që dihet është se i dyshuari Hektor Luga e ka rrahur 33-vjeçarin, duke i shkaktuar dëmtime të rënda, të atilla që e detyruan spitalin e Durrësit ta dërgojë urgjent në Ushtarakun e Tiranës ku i plagosuri ndodhet në gjendje të rëndë.
Policia tha se pas arrestimit të të dyshuarit, ai akuzohet për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje dhe materialet procedurale iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
a.a/NOA