E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barak kërkon fundin e okupimit

Izraeli duhet të pajtohet me atë se bota nuk do të pranojë pushtetin e Izraelit mbi popullin palestinez edhe gjatë dekadave në vijim, deklaroi sot Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak.

Komentet e Barakut, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Izraelit, u bënë pas thëllimit të krizës në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Izraelit, për shkak të ngecjes së procesit paqësor në Lindjen e Mesme.

Javën e kaluar, presidenti i SHBA-së, Barack Obama, theksoi se Washingtoni nuk mund t’ia imponojë vullnetin e vet izraelitëve dhe palestinezëve, nëse dy palët nuk janë të gatshme të bëjnë kompromiset e nevojshme, për t’i dhënë fund konfliktit të tyre shumëvjeçar.

Barak theksoi se qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu ka bërë gjëra, të cilat nuk e ka pasur të lehtë t’i bëjë, siç janë pranimi zgjidhjes me dy shtete dhe kufizimi i aktiviteteve nëpër kolonitë hebrenje.

“Por nuk duhet të mashtrojmë vetën. Tjetërsimi në rritje mes nesh dhe SHBA-së nuk është aspak i mirë për shtetin e Izraelit”, tha Barak.

Barak hodhi poshtë mundësinë e një zgjidhje të imponuar nga SHBA-ja, një ide për të cilën është folur së fundi në Washington. Por ai tërhoqi vërejtjen se përderisa ushtria e Izraelit është tejet e fuqishme, asaj gjithashtu i nevojitet edhe legjitimiteti ndërkombëtarë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›