E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërmet në Afganistan

Një tërmet me një fuqi prej 5.3 shkallë të Rihterit ka goditur sot pjesët qendrore të Afganistanit, me ç’rast humbën jetën së paku shtatë persona dhe u lënduan mbi 30 të tjerë, ka njoftuar një zyrtar provincial.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 190 km në veriperëndim të Kabulit, në një thellësi prej 10 kilometra, ka njoftuar Agjencia Gjeologjike e SHBA-së.

Gulam Saki, zëvendës-guvernator i provincës veriore, Samangan, ku ishte epiqendra e tërmetit, theksoi se tri qarqe në rajonin e goditur kanë pësuar dëme të pjesërishme.

“Së paku shtatë persona kanë vdekur, ndërsa 34 të tjerë kanë pësuar lëndime. Me këtë rast janë shembur edhe 40 shtëpi”, tha Saki, duke shtuar se numri i të vdekurve mund të rritet.

Ai shtoi se qasja në një prej tri qarqeve është bllokuar, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti dhe tha se nuk mund të flitet për numrin e saktë të viktimave, përderisa ekipet shpëtimtare të mos jenë në gjendje që të hyjnë në këtë qark.

Afganistani është një vend i cili goditet shpesh nga tërmetet, sidomos pjesët verilindore të vendit. Me dhjetëra persona humbën jetën, si pasojë e tërmetit me fuqi prej 5.5 shkallë të Rihterit, i cili në vitin 2009 goditi pjesët lindore të Afganistanit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›