E Diel, 1 Nëntor 2026

Barazi gjinore, apo tjetërsim i gruas?*

Mimoza Hysa / Shkrimtare

Duket paradoksale në një vend ku dhunohen e vriten gra pa pritë, të drejtosh gishtin kundër tyre…e megjithatë unë do ta bëj, për të kuptuar se çfarë drejtimi po merr i ashtuquajturi emancipim i gruas në kohët moderne. Natyra njerëzore e ka më të thjeshtë të përthithë më shpejt veset e të heqë keq gjatë pastaj për t’i hequr. Cilat janë veset apo të metat më të mëdha që gratë u kanë vënë në dukje burrave për shekuj me radhë: shkujdesja ndaj familjes, fëmijëve dhe flirtimet e pabesitë bashkëshortore të shfajësuara disi prej natyrës së tyre të paqëndrueshme. Pas këtyre burrave ndër shekuj fshiheshin gra të përkushtuara e ndoshta dhe të viktimizuara që bëheshin mbështetëse të ruajtjes së bërthamës së familjes, që sakrifikonin jetën e tyre në emër të kësaj familjeje e sidomos fëmijëve. Ajo që ka ndryshuar rrënjësisht në gratë “e emancipuara” është braktisja e këtij roli dhe marrja e revanshit për të barazuar burrat, pikërisht në ato të meta që ua kanë përplasur prej shekujsh në fytyrë. Dhe për këtë gjë, për çudi, i ka ndihmuar dhe dalë krah teknologjia. Mjafton të ndodheni në një lulishte ku argëtohen fëmijët për të ndjekur me vërejtje sjelljen e nënave të reja: nuk shikon më merak për t’u vrapuar nga pas, as biseda të gëzueshme në tavolinë ose përdore me ta. Nënat e reja janë shumë të zëna me “punën” në facebook dhe në ipad, janë tërësisht të rrëmbyera nga skype apo bisedat e gjata në celular. Lëvizin kokën, pohojnë, qeshin me zë të lartë, rrahin tastierat me ankth e zemërim… dhe në ato momente janë dritë larg të voglit që qan me lot se nuk di si të rrëshqasë. Gratë e reja janë vetëm fizikisht në rolin e nënës se mendërisht po flirtojnë, sa për kalim kohe, me një x nga cepi tjetër i botës dhe po ankohen me mikeshën e zemrës për pamundësinë për ta gëzuar plotësisht jetën. Teknologjia i ka dalë krah për të fshirë gjurmët dhe për të qenë gjithnjë në sintoni me mentalitetin “e vjetruar” që nuk arrin t’i kuptojë aspiratat e tyre të mëdha. Shumë të tjerë kanë ndërhyrë për të fragmentarizuar e copëzuar dashurinë më të pastër të kësaj bote, atë të nënës për fëmijën. Ndërkohë që edhe koha e shenjtë e uljes në tavolinë të familjes, e qëndrimit përballë e bashkëshortëve ndërpritet nga telefonatat e Almës, Anës, Artës e serisë së mesazheve të Zh-ve. Gra që si burrat donzhuanë të një herë e një kohe, shfajësojnë tërë kohën zilet që nuk u lenë kohë të dëgjojnë deri në fund një bisedë dhe të shikojnë në sy burrat e tyre. E për çudi, nëse burrat do të tregohen paturpësisht “xhelozë” për të kontrolluar celularët nuk do të gjejnë gjurmë mesazhesh e telefonatash edhe pse ato janë shkëmbyer në tavolinën e bukës. Gratë i kanë mësuar shumë shpejt djallëzitë për të fshirë gjurmët. Po a thua i fshijnë nga ndërgjegjja? Në cilën rrugë po kalon emancipimi (sa e ndotur po më duket fjala e pafajshme!)? Nga rruga e qortuar e burrave. Gratë po u marrin hakun për të metat historike dhe po përpiqen të ecin përkrah tyre në familje duke i paraprirë…po në këto të meta! A nuk do të ishte më mirë që përparimin ta kuptonim si përmirësim të asaj çfarë grave u ka munguar, zënia e një pozicioni të nderuar në shoqëri, jashtë shtëpisë, ashtu si burrat dhe një herë të vetme, të ruanim një traditë, të ruanim ato cilësi të mira që kanë identifikuar gruan ndër shekuj? Kaq e vështirë qenka t’u ngjajmë gjysheve e nënave tona në ato të mira që kanë mbajtur botën në ekuilibër? Nëse kohët kanë ndryshuar dhe bashkë me të dhe mënyra si njeriu e percepton jetën, për fatin e mirë (apo të keq për disa) nuk ka ndryshuar procesi i rritjes së fëmijëve. Do të kishin të drejtë të silleshin si burrat e pavëmendshëm nëse fëmijët do të lindnin të mëdhenj menjëherë, nëse shkenca e teknologjia ashtu siç bashkoi botën në një, do të kishte bërë që edhe fëmijëria, adoleshenca të zhdukej dhe nënat të kishin përballë burra e gra të formuar që nuk kishin aspak nevojë për ndihmesë e përkujdesje. Po ja që natyra ka krijuar një qenie të tillë si nëna për t’ia shpjeguar botën fëmijës, për ta bërë të dallojë të mirën nga e keqja, për të kuptuar se çfarë është dashuria. Dhe nëse ka qenë gruaja që ka ditur ta luajë këtë rol mrekullisht ndër shekuj nuk ka pse të heqë dorë tani dhe të rreshtohet në anën e mbrapshtë të burrave. Prandaj, nëna të dashura, kur fëmija juaj po luan në një lulishte, ka nevojë ta ndjejë vështrimin tuaj të kujdesshëm pas shpine, për t’u ndjerë me krahë, ka nevojë të vrapojë përdore me ju, ka nevojë t’ia shpjegoni pse shoqja me bishtaleca nuk e pranon në shoqërinë e saj. E në kohën që merreni me fëmijët, hiqni dorë nga hedhja e fotove në facebook, qofshin këto edhe të vetë fëmijës suaj, se kështu nuk po ndihmoni atë, por po kënaqni thjesht narcizin tuaj, fikeni për një orë telefonin se askush nuk do të dëmtohet më tepër se fëmija juaj. Fëmijët e sotëm lindin njëlloj të paditur, të pamësuar dhe me frikë ndaj së resë ashtu si ndër shekuj, e ndaj dhe roli i nënës nuk emancipohet duke ia hequr thelbin, dhënia e dashurisë dhe sigurisë që kërkon njëlloj kohë e përkushtim dhe nuk mund të copëtohet me njëmijë vëmendje. E nëse dëmtohet dashuria më e madhe, është dëmtuar vetë nocioni i dashurisë. Nëse nënat tradhtojnë fëmijët, të gjitha dashuritë e tjera janë në rrezik. Të gjitha përpjekjet e vazhdueshme për ta gjetur dashurinë e përkryer rrotull globit, janë një iluzion për t’iu shmangur detyrës dhe luftës së mundimshme që kërkon mbajtja e familjes. Mospërkushtimi ndaj fëmijës është tradhtia e parë që paralajmëron qartë tradhti të mëpasshme. Nëse për t’u ndjerë gjallë keni nevojë të flirtoni me gjithë botën duke dëmtuar fëmijën e familjen tuaj, atëherë thjesht po burrëroheni me kuptimin e vërtetë të fjalës, po merrni hak për breza të tëra grash dhe po bëni disa hapa pas burrave tuaj. I bukur emancipim!  

*Titulli është redaksional


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›