E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i publikes dhe qeveria e Berishës

Arben Isaraj/deputet i PS-së 

-Privatizimi i publikes (ndërmarrjeve shtetërore) është sigurisht objektivi i duhur i reformave ekonomike, por ai kërkon një shkallë të lartë aftësish institucionale për ta zbatuar siç duhet. Por problemi në Shqipëri ashtu si dhe ne disa vende të tjera post-komuniste rrodhi disi më ndryshëm, sigurisht për keq. Privatizimi pashmangshmërisht krijon asimetri të mëdha informacioni dhe është puna direkt e qeverisë t’i korrigjojë ato.  Asetet dhe të drejtat e pronësisë duhej të identifikoheshin, të vlerësoheshin dhe të transferoheshin në mënyrë transparente. Të drejtat e “minoriteteve” të reja të aksionerëve duheshin mbrojtur për të shmangur zhvatjen e aseteve, shporrjen dhe abuzimet e tjera. Kështu, ndërsa privatizimi nënkupton një reduktim në shtrirjen e funksioneve shtetërore, kërkonte gjithashtu tregje funksionale dhe një shkallë të lartë kapacitetesh shtetërore për tu zbatuar. Këto kapacitete nuk ekzistojnë në Shqipërinë e sotme dhe rezultati ishte që shumë asete publike të privatizuara nuk përfunduan në duart e sipërmarrësve që mund t’i bënin ato produktive. Grabitja e burimeve publike nga të ashtuquajturit biznesmenë të “familjes, “oborrit” dhe pushtetit, luajti një rol të dukshëm në delegjimitetin e shtetit shqiptar. Ky identifikim i ri, i përparësisë së forcës institucionale mbi shtrirjen e funksioneve nga publikja tek privatja, reflektohet në komentet e bëra në vitin 2001-2002 nga Milton Friedman, dekani i ekonomistëve të tregut të lirë. Friedman vuri ne dukje se pas viteve 90-të, ai do të kishte thënë vetëm tri fjalë për vendet që po kryenin tranzicionin nga e kaluara socialiste: “privatizoni, privatizoni, privatizoni”. “Por e kisha gabim” vazhdon Friedman-i”. “Doli se shteti ligjor është më i domosdoshëm se privatizimi”. Sot në Shqipëri, ekzistojnë prova të qarta, se forca e institucioneve shtetërore është në një kuptim të gjerë më e rëndësishme se shtrirja dhe shkrirja e funksioneve shtetërore. Zgjidhja jonë që duhet të ofrojmë: “Më i vogël por më i fortë”.  Duke grumbulluar dhe shpërndarë me qëllim e arsye kushtetuese pushtetin legjitim, më i vogël dhe më modern do te jetë sektori shtetëror, më i fortë dhe më kushtetues do të jetë shteti i së drejtës.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›