Barazia gjinore, PS: Lufta e qeverisë, demagogji
Tiranë- Partia Socialiste ka reaguar sot për raportin Global të Indeksit të Pabarazisë Gjinore për vitin 2008, duke deklaruar se jo vetëm nuk kemi bërë ansjë progres, por përkundrazi janë shënuar hapa mbrapa. Sipas kordinatores së Forumit të Gruas në PS, Ermira Danaj është shqetësues fakti që në krahasim me vitin 2007 ne kemi zbritur 21 vende dhe në krahasim me 2006, 26 vende.
“Në lidhje me cështjen e barazisë gjinore Shqipëria jo vetëm që nuk ka bërë asnjë progres gjatë dy viteve të fundit, përkundrazi gjatë 2008 ka bërë shumë hapa mbrapa”- tha ajo gjatë një konference për shtyp, duke shtuar se ajo çfarë ka bërë qeveria në lidhje me barazinë gjinore me pjesëmarrjen në tregun e punës është më shumë demagogji se sa hapa konkretë.
Ajo ka theksuar angazhimin e Partisë Socialiste dhe Forumit të Gruas Socialiste për të punuar konkretisht dhe pandërprerë në drejtim të objektivit të barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave dhe vajzave në të gjitha fushat e jetës duke e bërë këtë objektiv pjesë themelore të programit tonë.
Sipas raportit Global të Indeksit të Pabarazisë Gjinore për vitin 2008, në Shqipëri shkalla e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në tregun e punës është vetëm 55% në krahasim me 75% të burrave. Shkalla e papunësisë së grave dhe vajzave është 17.5% në krahasim me 12% të burrave.
Gratë vazhdojnë të kenë të ardhura shumë më të ulëta se sa burrat duke qenë kështu shumë më të rrezikuara nga varfëria. Sipas të njëjtit raport të ardhurat për frymë të grave në Shqipëri janë vetëm sa gjysma e atyre të burrave. Në lidhje me pjesëmarrjen e grave në politikë Shqipëria renditet shumë më poshtë, në vendin e 119, duke pasur një ndër pjesëmarrjet më të ulëta të grave në parlament dhe qeveri.