E Diel, 1 Nëntor 2026

Barazim mes femrave kampione të Tirana As dhe meshkujve të Lukovës

Miqësore e rrallë

Pasdite interesante ajo e djeshmja për publikun vendas dhe pushuesit, kur në fushën e Lukovës u rikthyen lojtarët profesionistë pas 20 viteve heshtje. Ndeshja miqësore mes vajzave futbolliste të ekipit Tirana As dhe skuadrës së djemve të Komunës Lukovë u zhvillua në qendrën sportive të lokalitetit, ku prej vitesh nuk ishte zhvilluar asnjë ndeshje. kjo për shkak të ikjes së banorëve në emigracion. Vajzat e ekipit kampion janë në këtë zonë për disa ditë pushimi, nën drejtimin e trajnerit të tyre, ish-sulmuesit Altin Rraklli dhe presidentit të klubit Genc Ymeraj. Nostalgjik për ekipin e dikurshëm Riviera, ish-trajneri Arsen Spiro, dikur futbollist i Dinamos dhe Butrintit, krijoi një skuadër energjike me djemtë e fshatrave të gjithë zonës së Lukovës. Dhe për t’u dhënë kënaqësinë e lojës, ai bëri shumë ndërrime, që të luanin të gjithë. Avantazhi i djemve vendas në minutën e dytë të pjesës së parë u pasua nga rezultati i thellë i përmbysur 5-3. Në fund, ndeshja miqësore përfundoi me rezultatin e barabartë 6-6. Për spektatorët, ndeshja e drejtuar nga gjyqtar Kasëm Kasëmi dhe anësorë ish-futbollistët e Rivierës, Mihal Mëhilli dhe Edmond Gjenerali, ishte një sfidë e këndshme, e munguar prej vitesh. Fansat e ekipit të vajzave patën kënaqësinë e ndërrimit të bluzave dhe autografeve. Ndeshja u mundësua nga Komuna Lukovë, në perspektivën e ringritjes së ekipit Riviera, në shkëlqim të plotë në vitet ‘70. Kjo ishte një përballje e rrallë mes një skuadre femrash dhe një ekipi meshkujsh, por që gjithsesi u dhuroi shumë emocione të pranishmëve. Gjithsesi, kjo përballje miqësore i ka shërbyer trajnerit të kampioneve të Tirana As, Altin Rrakllit, i cili ishte në kërkim të testimit të ekipit të tij në prag të rifillimit të edicionit të ri të kampionatit shqiptar të futbollit për femra.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›