Ja detajet e ofertës së Hajdukut për Andi Lilën
Mbrojtësi Andi Lila mund të luajë sezonin e ardhshëm në Kroaci te Hajduku i Splitit. Kavajasi 24-vjeçar, i cili aktualisht luan te Tirana, ka një të kaluar në Greqi tek Iraklisi (janar-qershor 2007). Hajduku, klubi kroat i dytë më i rëndësishëm, drejtohet nga Stanko Poklepoviç. Ky i fundit kishte dërguar disa vëzhgues në ndeshjen e Ligës së Europës, Tirana-Utreht (1-1), takim ku golin për bardheblutë e shënoi Andi Lila. Për Lilën interesohet edhe klubi kroat, Inter Zapreshiç, ku trajner është ish-tekniku i bardhebluve, Ilija Lonçareviç. Para dy vitesh, Lila, atëherë në radhët e Besës, refuzoi një ofertë disa milionëshe nga Ukraina. Tashmë situata ka ndryshuar. Futbollisti është rritur shumë duke luajtur në radhët e Tiranës dhe ka mundur madje të fitojë një vend në përfaqësuesen kuqezi, të drejtuar nga trajneri Josip Kuzhe. Megjithatë ai ndihet shumë i joshur nga oferta e klubit të njohur kroat të Hajdukut të Splitit. Vetë futbollisti ka preferuar të tregohet i rezervuar në lidhje me detajet e ofertës së skuadrës kroate, ndërkohë që burime pranë tij kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një testim, i cili do të mund të pasohet nga një kontratë 3-vjeçare për një shumë te rreth 150 mijë eurot në sezon. Gjithsesi, që një gjë e tillë të zyrtarizohet, do të duhet të presim edhe pak.
#