E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyka drejt Panionosit, por Kuzhe i thotë Jo

Klubi grek interesohet për mesfushorin e talentuar

është përkufizuar si një nga talentet më të spikatur të futbollit shqiptar, por prej disa sezonesh po kalon një nga periudhat më të vështira të karrierës së tij. Edhe pse shkëlqen sa herë që aktivizohet nga trajneri i Kombëtares kuqezi, nuk ka arritur kurrë të fitojë një vend stabël në formacionin e parë të skuadrës së Maincit në Bundesliga I dhe II. Bëhet fjalë për mesfushorin me tipare sulmuese, Jahmir Hyka, i cili, edhe pse zotëron cilësi shumë të mira tekniku, nuk ka mundur kurrë t’i bindë trajnerët e Maincit për të qenë një zgjedhje e parë për formacionin e tyre.

Përfundimi i sezonit 2009-2010 bëri që trajneri i Maincit ta konsiderojë jashtë planeve të skuadrës për edicionin e ardhshëm. Kështu që fantazisti Hyka, i transferuar në verën e vitit 2008 te skuadra gjermane, atëherë në Bundeligën II, nuk bën më pjesë në programin e teknikut Krisitan Heidel. Mesfushori shqiptar mund të transferohet te Panionos në Greqi. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Foto Strakosha, është duke ndërmjetësuar kalimin e mesfushorit të Mainz 05 (Bundesliga I gjermane) te klubi grek. Dëshira e futbollistit nuk është të largohet, por të luftojë deri në fund për të fituar një vend në formacionin e parë të Maincit. Një gjë e tillë i është rekomanduar edhe nga vetë trajneri i Kombëtares kuqezi, Josip Kuzhe, i cili dëshiron më mirë ta shikojë Hykën qoftë edhe të aktivizuar për pak minuta në Bundesliga, sesa në ndonjë kampionat tjetër më pak interesant. Pak ditë më parë te Panionos u testua ish-mbrojtësi i Besës, Renato Arapi, por nuk arriti të nënshkruajë kontratë me klubin grek, ndërkohë që tani është pjesë e Shkumbinit. Te Panionos më parë kanë luajtur Sulejman Demollari (1994-1996), Foto Strakosha (1997-1999), Arjan Bellaj (2002-2003) dhe Hamdi Salihi (2004-2005). Aktualisht në grupin e lojtarëve luan sulmuesi i Kombëtares U-21, Vasil Shkurtaj (18 vjeç). Jahmir Hyka është një emër i njohur në futbollin grek, pasi 22-vjeçari ka qenë pjesë e ekipit të dytë të Olimpiakosit në sezonin 2007-2008, përpara se të huazohej te Tirana e të kalonte përfundimisht te Mainc 05. Hyka, një nga talentet më të mëdha të 20 viteve të fundit, ka dhe një eksperiencë në Norvegji te Rozenborg, ndërkohë që Jahmiri është një lojtar i grumbulluar rregullisht në Kombëtaren shqiptare.

Futbollisti numëron 3 ndeshje (0 gola) me Rozenborgun, asnjë ndeshje zyrtare me Olimpiakosin, 32 ndeshje dhe 2 gola me Tiranën dhe 13 ndeshje e asnjë gol me Maincin në dy sezonet e fundit 2008-2009 dhe 2009-2010. Një bilanc jo i mirë për një futbollist të talentuar, por në rastin konkret do të duhet vërtet të marrim parasysh edhe situatat e krijuara, ku asnjë nga trajnerët e Maincit nuk e ka parë me sy të mirë shqiptarin, për shkak se konsiderohet një lojtar që mbron pak dhe nuk pason shumë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›