E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barazojmë kundër 14 kundërshtarëve

Deri me tani ishim mësuar të luanim vetëm kundër skuadrave kundërshtare, por ndaj Azerbajxhanit në një ndeshje që vetëm miqësore që nuk mund të ishte, kemi luajtur edhe përballë gjyqtarit gjeorgjian Lasha Sligava. Madje ia kemi dalë mbanë shumë mirë, pasi kemi arritur të dalim me një barazim 1-1 (duke pasur parasysh gjykimin e ndeshjes që, pse jo, mund të quhet edhe një mrekulli).

Në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit, në të cilin mësuam se fjala “mikpritje” është ende një tabu, Shqipëria është ndëshkuar që në minutën e tretë. Pas një gabimi të Besart Berishës, i cili ka humbur topin në mesin e fushës, ka qenë Subashiç (ka qenë në pozicion të dukshëm jashtë loje), që ka kaluar në avantazh vendasit. Edhe pse të gjithë lojtarët e kombëtares sonë ka protestuar, gjyqtari anësor, i cili ka qenë shumë pranë aksionit, nuk e ka ndryshuar vendimin e tij. Por avantazhi i vendasve nuk ka zgjatur shumë, pasi në minutën e 12-të pas një asisti të Berishës, Ervin Skela i ka barazuar shifrat në 1-1, duke i bërë edhe një dhuratë shumë të mirë vetes së tij për 32-vjetorin. Ka qenë goli i 10-të për Ervin Skelën, i cili u barazua me Igli Taren e Sokol Kushtën. Mbreti është ende Alban Bushi me 14 gola. Në fundin e pjesës së parë ka qenë një episod tjetër i çuditshëm. Krejt papritur, kur topi po rivihej në lojë nga portieri Isli Hidi, gjyqtari nga Gjeorgjia, Lasha Sligava, nxjerr një karton të kuq për Elvin Beqirin. Të gjithë lojtarët kanë vërshuar në protesta edhe mes lotësh, por gjyqtari as që donte t’ia dinte. Pjesa e dytë ka nisur me 10-15 minuta vonesë, pasi kombëtarja jonë ka dalë vonë në fushën e lojës. Gjyqtari dashakeq Lasha Sligava ka dashur të ndëshkojë kombëtaren tonë edhe në pjesën e dytë, por nuk ia ka arritur qëllimit. Ashtu si edhe në Portugali, me dhjetë vetë kemi arritur të mbajmë një barazim në një ndeshje miqësore, e cila nuk ngjante aspak e tillë, kemi treguar grintë dhe karakter, duke barazuar kundër 14 kundërshtarëve (11 lojtarë plus tre gjyqtarë).   

Dy federatat paralajmëruan gjyqtarët në pushim

Në pushim të ndeshjes Azerbajxhan-Shqipëri (1-1), përfaqësues të të dyja federatave hynë në dhomën e gjyqtarëve, duke biseduar me ta. Sipas burimeve në delegacionin shqiptar, edhe përfaqësuesit e federatës vendase të Azerbajxhanit kanë rënë dakord për të paralajmëruar gjyqtarët, që të mos bënin më gabimet trashanike të pjesës së parë. Gjyqtarët akorduan një gol të dyshimtë të Azerbajxhanit (shqiptarët pretenduan për pozicion jashtë loje), dhanë kartonë të verdhë për shqiptarët, ndërsa kursyen vendasit për faulle të rëndë, si dhe dhanë pozicione jashtë loje të paqenë kundër skuadrës shqiptare. Në të vërtetë, në pjesën e dytë, gjykimi i treshes gjeorgjiane ishte më i ekuilibruar.

Ari Han: Nuk u luajt futboll

Nuk ka përmendur me emër gjyqtarët gjeorgjianë, por sidoqoftë ka qenë tepër i qartë. Trajneri i kombëtares shqiptare, Ari Han, deklaroi pas barazimit 1-1 në Baku, se në ndeshje nuk u bë fjalë për të parë futboll. “Ju e kuptoni vetë se në këtë ndeshje vetëm për futboll nuk mund të bëhej fjalë”, - ishin fjalët e pakta të holandezit. Ai nuk veçoi dot ndonjë lojtar kuqezi, thjesht për faktin se ndeshja u quajt prej tij si e shkuar dëm.

Gjyqtari i kërkon falje Beqirit

Pas përfundimit të ndeshjes Azerbajxhan-Shqipëri, gjyqtari skandaloz gjeorgjian Lasha Sligava i kërkuar të falur mbrojtësit të kombëtares tonë Elvin Beqiri për kartonin e kuq të nxjerrë ndaj tij. Beqiri i është drejtuar në gjuhën ruse një lojtari kundërshtar, ndërsa gjyqtari i takimit ka menduar se ato fjalë ishin për të, duke mos hezituar të nxjerrë kartonin e kuq. Por pas përfundimit të takimit i ka kërkuar të falur Beqirit duke i thënë se ka qenë një keqkuptim.

Curri: Ndeshja ishte e frytshme

Debatik Curri është i kënaqur që Shqipëria luajti dhe barazoi në Azerbajxhan. “Ndeshje e frytshme, ku nuk kishte rëndësi rezultati, por përgatitja për takimet e ardhshme eliminatore të botërorit”, - tha ai në koment për mediat azere. Curri pohoi se trajneri Han arriti të eksperimentonte disa lojtarë të rinj, ndërsa shtoi se Shqipëria luajti për fitore, pavarësisht se u dëmtua nga gjykimi.

Skeda e Ndeshjes

AZERBAJXHAN-SHQIPËRI 1-1

Golat: Subashic 4’ (1-0), Skela 12’ (1-1)

Stadiumi: “Tofik Bahramov”

AZERBAJXHANI: Mehtiev (46’ Veliev), Junisoglu, Idika (46’ Dzhaligov), Shukurov, Sadihov, Çertoganov (79' Abdilajev), Abasov, Mamedov (46’ Gusenov), Dzhvadov, Seinalov, Subashic (69' Nadirov)

SHQIPËRIA- Hidi, Beqiri, Vangjeli (46’), Lila, Dallku, Vrapi, Curri, Agolli (95' Muzaka), Bulku, Duro (73'  Lika), Berisha (85' Sukaj), Skela

Kartonë të verdhë: Zeinalov/ Duro, Agolli, Skela

Karton i kuq: Beqiri 45’

Gjyqtar: Lasha Sligava

Kronologjia e ndeshjes

95’ Del Ervin Bulku, futet në lojë Gjergji Muzaka. Pas dy-tre sekondash mbaron ndeshja.

85’ Del Besart Berisha, dhe në vend të tij Xhevahir Sukaj që luan në Turqi me Hacetepe.

79’ Abdiljev hyn në vendin e Çertoganov, zëvendësimi i pestë i kryer nga trajneri gjerman i Azerbajxhanit, Berti Vogst.

73' Klodian Duro i lë vendin Gilman Likës, mesfushorit që luan në Turqi me Hacetepe.

67’ Klodian Duro ndjek shembullin e Agollit, por gjuajtja e mesfushorit të Omonia Nikosias është shumë e dobët.

64’ Ansi Agolli gjuajti nga larg, por topi i goditur nga mesfushori i Tiranës preku rrjetën e jashtme të portës së mbrojtur nga zëvendësuesi Veliev.

62’ Sadihov gjuan nga një distancë e largët, por Hidi, në një superformë në ndeshjen e sotme, e devijoi në goditje këndi, duke shpëtuar portën tonë nga një tjetër rrezik. Në një ditë pas sulm e agresivitet Shqipëria.

46' - Pjesa e dytë nisi me shumë vonesë, gati 10 të tilla, madje ekipi ynë doli në fushën e lojës dy-tre minuta më vonë se ekipi vendas. Topi i parë për Azerbajxhanin.

45' -Në mënyrë shumë të çuditshme, gjyqtari gjeorgjian ndëshkoi me karton të kuq Elvin Beqirin. Protestojnë të gjithë futbollistët shqiptarë, ku Skela e Duro janë dhe protagonistët. Degjeneron situata në Baku. Trajneri Han ndërhyn për të qetësuar situatën.

38’- Karton i verdhë për një futbollist azerbajxhanas. 1-3 Numri i kartonëve të verdhë për Shqipërinë.

37’- Radomir Bakshel përfitoi nga një rrëmujë brenda zonës sonë, por goditje e tij është e pasaktë.

34’- Kapiteni i Shqipërisë, Ervin Skela, ndëshkohet me karton të verdhë nga gjyqtari gjeorgjian i takimit.

30’- Një perfomancë e zbehtë e ekipit tonë përfaqësues. Shumë të tërhequr pas. Ndihen mungesat e lojtarëve titullarë si Lorik Cana e Altin Lala, edhe pse Klodian Duro e Ervin Skela po mundohen të frymëzojnë skuadrën tonë.

25’- Azeri Kondukov fitoi një goditje dënimi, pas faullit të Elvin Beqirit. Një goditje ballore nga 25 metra. Mur kuqezinj, Hidi grushton predhën e kundërshtarit.

19’- Azerbajxhani sulmon nga krahu i majtë, Subashiç godet ashpërsisht dhe Hidi grushton, duke devijuar topin në goditje këndi. Të rrezikshëm azerët në këto minuta.

11’ -Azerbajxhan -Shqipëri 1-1. Besart Berisha rrëmben një top brenda zonës azere, me një veprim të bukur dha një top për Ervin Skelën, kapiteni i Shqipërisë me një diagonale të rreptë shënoi golin e barazimit. Një dhuratë e bukur për 32-vjetorin e fantazistit të Energi Kotbusit. Ky është goli i 10-të për Ervin Skelën, i cili u barazua me Igli Taren e Sokol Kushtën. Mbreti është ende Alban Bushi me 14 gola.

8’- Karton i verdhë për mbrojtësin e Arisit, Kristi Vangjeli

5’- Karton i verdhë për mesfushorin e Tiranës, Ansi Agolli.

4' -Azerbajxhan -Shqipëri 1-0. Subashic, autori i golit. Besart Berisha, ndërmori një aksion personal në afërsi të mesfushës së Azerbajxhanit. Si zakonisht, teprimet e mbajtjes së topit nga sulmuesi i Rozenbergut, duke humbur topin, një kundërsulm të shpejtë azerbajxhanasit shënuan edhe golin e parë me anë të Bakshel, duke bërë të pavlefshëm ndërhyrjen e Hidit. Një gol i shpejtë.

2’ Goditje dënimi për Azerbajxhanin nga një distancë prej 25 metrash Pa rrezik për portën tonë.

1’- Topi i parë luhet nga Shqipëria

Rastet e ndeshjes, marrë nga “Albania Sport”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›