E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina ngre zërin kundër planit të Ban Ki Mun

Me moton “Në mbrojtje të sovranitet”, dhjetëra-mijëra qytetarë protestuan dje në Prishtinë, në kundërshtim të planit gjashtëpikësh të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, dhe në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës. Protesta u organizua nga rrjeti i organizatave joqeveritare, të udhëhequra nga lëvizja “Vetëvendosje”, por në të morën pjesë edhe figura politike, përfshirë këtu deputetë të Kuvendit të Kosovës. Protestuesit mbanin në duar flamurin kombëtar shqiptar, parulla kundër ndarjes së Kosovës, ndërsa thërrisnin “Poshtë UNMIK-u”. Masa e njerëzve u nis nga Biblioteka Kombëtare, vazhdoi marshimin përpara Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës dhe në fund para ish-selisë së UNMIK-ut, tani EULEX-it. Duke iu drejtuar masës, kreu i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, tha se edhe nëse liderët kosovarë e pranojnë në çfarëdo mënyre gjashtëpikëshin, populli kosovar nuk do ta pranojë atë. Ai kundërshtoi neutralitetin e EULEX-it, duke e parë atë si një definicion që i mundëson Serbisë të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës. “Po thonë që ky farë EULEX-i është neutral. Ky neutralitet i bie njëfarë paanshmërie ndaj dy palëve. Pra, kur po thonë është neutral, po duan të thonë se për çështjen e Kosovës janë dy palë: është Kosova, por është edhe Serbia”, deklaroi Kurti. Në vazhdim, ai kritikoi qëndrimin e lidershipit të Kosovës karshi zhvillimeve të fundit politike, ndërkaq për planin 4-pikësh të Prishtinës ai tha se e sheh si një mundësi që Kosova e Serbia sërish të hyjnë në negociata. “ky plan 4-pikësh do të përfundojë si qëndrim i palës kosovare në negociatat e ardhshme. Prandaj, nuk mjafton më t’u thuhet “Jo” pikave të Ban Ki Munit, por i duhet thënë “Jo” çfarëdolloj negociate ose pazari me vendin tonë”, tha Kurti. Në emër të shoqatave të dala nga lufta dhe veteranëve të UÇK-së, Xhavit Jashari tha se çdo tentim për ta ndarë Kosovën do të ketë efekte edhe për vendet e tjera të rajonit. “Edhe nëse këto institucione, pa marrë parasysh arsyet, këtë “jo”-në e sotme e bëjnë “po” të nesërme, atëherë do të hapen probleme me të cilat do të përballen jo vetëm Kosova e Serbia, por do të përballen edhe Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria. Pra, do të ketë ribërje të kufijve, sot ose nesër, jo vetëm në këtë pjesë të tokave shqiptare, por edhe më gjerë”, tha Jashari. Protesta e djeshme ishte ndër më masivet që është organizuar që nga mbarimi i luftës e këtej. Ajo përfundoi e qetë dhe pa incidente, por me premtimin se protesta të ngjashme do të ketë në vazhdimësi, për sa kohë do të vazhdojë të cenohet sovraniteti dhe integriteti i Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›