E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plan i ri

Prishtina i kundërpërgjigjet propozimit të Ban Ki Munit

Prishtina zyrtare doli dje me një dokument prej katër pikash për vendosjen e misionit EULEX në territorin e Kosovës. Pas diskutimeve mes liderëve kosovarë dhe përfaqësuesve amerikanë e atyre evropianë për gjetjen e një zgjidhjeje, presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, bëri publik dokumentin si kundërpërgjigje ndaj planit gjashtëpikësh të Ban Ki Munit. Dokumenti në fjalë parashikon vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në Kosovë, në përputhje me deklaratën e pavarësisë, planin e Ahtisarit, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ftesën që EULEX-i u ka bërë institucioneve të Kosovës. Pas publikimit të planit të Prishtinës, nënsekretari amerikan i Shtetit, Daniel Frid, tha se pikat e paraqitura nga presidenti Sejdiu përbëjnë një platformë të mirë për të ecur përpara. Ai paralajmëroi nisjen drejt Gjenevës për të biseduar me zyrtarët e Kombeve të Bashkuara për mënyrën sesi do të ecet përpara. “Do të takohem me përfaqësuesin e OKB-së, Allen Le Roa në Gjenevë, për të diskutuar hapat e mëtejshëm. Por dua të them se kemi një bazë të mirë për të lëvizur në mënyrë produktive”, - tha Frid. Ndërsa mjaft i kënaqur u shpreh edhe përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Piter Fejth, i cili shprehu bindjen se misioni i EULEX-it do të shtrihet së shpejti në tërë territorin e Kosovës. “Bashkimi Evropian mezi po pret shtrirjen e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës. Jemi të kënaqur kur dëgjojmë përkushtimin e qeverisë për të bashkëpunuar me ne, por edhe me Kombet e Bashkuara, për ta bërë të mundur këtë shtrirje. Kemi marrë qëndrimin e qeverisë për këto çështje dhe tani presim t’i implementojmë këto angazhime”, - tha Fejth. Autoritetet kosovare nga ana e tyre shprehën angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në procesin e shtrirjes së EULEX-it në Kosovë. “Do të punojmë maksimalisht, që gjithë ky proces në të cilin jemi duke kaluar, ta kalojmë bashkë, duke implementuar me përpikmëri planin e Ahtisarit. E kemi ftuar, i kemi dhënë përkrahje dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me EULEX-in për shtrirjen e tij në tërë territorin e republikës”, deklaroi Thaçi. Sipas kryeministrit kosovar, i tërë ky bashkëpunim bëhet me qëllim që rendi dhe ligji të funksionojnë në tërë territorin e vendit, dhe në këtë mënyrë të mos ketë funksionim të strukturave paralele në asnjë pjesë të Kosovës. 

Plani katërpikësh i Prishtinës

1- Jemi për vendosjen sa më të shpejtë të EULEX-it në Kosovës, sipas mandatit të paraparë me deklaratën e pavarësisë, dokumentin e presidentit Ahtisari, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, aksionin e përbashkët të 4 shkurtit 2008 dhe ftesën e bërë EULEX-it nga institucionet e Kosovës.

2- Institucionet e Kosovës e refuzojnë në tërësi dokumentin gjashtëpikësh.

3- Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë ngushtë me EULEX-in në tërë territorin e Kosovës, në bazë të mandatit, sipas dokumenteve të lartpërmendura, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

4- Institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë si gjithmonë me SHBA-të, BE-në dhe NATO-në.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›